INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Humbën nënën shtatzënë, Arbër Hajdari tregon për INtv.al si do t’i sjellë në Tiranë 6 motrat jetime [FOTO]

Humbën nënën shtatzënë, Arbër Hajdari tregon për INtv.al si do t’i sjellë në Tiranë 6 motrat jetime [FOTO]

Publikuar më: 13:24 15-03-2018

Ai ka prekur nga afër problematikat e mjaft familjeve të varfra shqiptare. Themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, është dekoruar nga ish Presidenti, Bujar Nishani, për kontributin e dhënë ndaj familjeve në nevojë duke u kthyer në inspirim dhe duke bërë shumë njerëz të besojnë se ka ende shpresë.


- Arbër, pëshëndetje. Jeni githmonë aty ku ka njerëz në nevojë duke u kthyer në frymëzim për këdo. Sfiduese puna që bëni?
- Puna që bëj është misioni më i rëndësishëm i jetës sime. Sigurisht që nuk është aspak e lehtë, por forcën për të vazhduar e gjej në çdo histori ku ne rikthejmë buzëqeshjen. Nuk ka asgjë më motivuese, se sa kur shoh që ndryshojmë jetën e dikujt që ka qenë i zhytur në mjerim duke i dhënë shpresë. Është një mision plot sfida, ne mundohemi të pikasim çdo rast në nevojë për tu shkuar pranë dhe për ti ndihmuar të dalin nga varfëria.
- Kur themeluat "Fundjavë ndryshe" e kishit menduar që ajo do të përshkonte pikërisht rrugën që po bën?
- Kur themelova “Fundjavë Ndryshe” nuk e merrja me mend rrugëtimin që nisma ime do të përshkruante, duke trokitur në çdo derë ku varfëria është ulur këmbëkryq. Nuk e dija që shqiptarët do ta mbështesin me kaq shumë dashamirësi dhe entuziazëm, edhe pse kohë më parë e kisha kuptuar që shiptarët janë një popull bamirës. Gjatë rrugëtimit të Fundjavës unë kuptova se nëse i bashkojmë njerëzit për kauza të forta dhe të vërtëta, ne të gjithë bashkë mund t’ia dalim.
- Rasti i fundit është ai i 6 vajzave në Kukës të mbetura jetime nga humbja e nënës së tyre shtatzënë me fëmijën e shtatë. Aktualisht, çfarë do të ndodhë me këta fëmijë?
- Rasti i fundit ka qenë ndër rastet më ekstreme dhe tragjike që kam parë, të cilin e kam përjetuar me shumë dhimbje. Për momentin ju kemi siguruar vajzave ushqimet dhe veshmbathjet e duhura, derisa t’iu blejmë një shtëpi këtu në Tiranë, për të cilën jemi duke punuar. Do mundohemi tu sigurojmë shkollimin përkatës secilës dhe t’i trajtojmë derisa të bëhen të zonjat e vetes.
- Çfarë mësove më shumë për to?
- Vajzat kishin humbur të dy prindërit e tyre, dhe ngushëllimin e vetëm e gjenin pranë njëra tjetrës. Edhe mes mjerimit dhe dhimbjes, ato janë vajza plot jetë, plot energji pozitive. Ne jemi të sigurtë se do tu japim mjaftueshëm forcë që ato të ecin përpara, duke e lënë pas varfërinë dhe skamjen. Kemi pasur një fluks reagimesh në rrjetet tona sociale pas publikimit të rastit, shqiptarët janë treguar mëse të gatshëm për ti ndihmuar dhe mbështetur. Të gjithë bashkë mund tia dalim!
- Si dikush që i ka prekur nga kaq afër të tilla raste, çfarë keni kuptuar realisht?
- Kam kuptuar se shqiptarët nuk janë indiferentë përballë varfërisë. Por shqiptarët kanë nevojë të organizohen për të ndihmuar të tjerët. Shqipëria është një vend i vogël, por plot energji pozitive. Te Fundjavë Ndryshe ne jemi rreth 8000 të rinj dhe të reja, energjikë dhe me ide shumë të bukura, sesi mund ta nxjerrim vendin tonë nga varfëria.
- Sa keni gjetur mbështetjen e institucioneve dhe sa atë të qytetareve të thjeshtë në thirrjet e bëra për ndihmë?
- Ka pasur institucione që janë treguar të gatshëm të bashkëpunojnë, shërbimi social na ka ndihmuar në identifikimin e familjeve në nevojë, Agjensia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile na ka ndihmuar në lidhje me implementimin e një projekti, por rolin kryesor e ka luajtur media. Kemi pasur mbështetjen e pothuajse çdo televizioni, të cilët janë ofruar të publikojnë raste të ndryshme dhe familje të ndihmuara. Ndërsa qytetarët e thjeshtë, biznesi i madh dhe i vogël, shkollat dhe rinia shqiptare janë shtylla më e fortë ku mbështetet Fundjavë Ndryshe. Janë ata që mundësojnë trajtimin e familjeve në nevojë, unë mendoj se ne të gjithë bashkë do ta nxjerrim Shqipërinë nga varfëria.
Shqiptarët janë një popull shumë bamirës, këtë na e ka treguar historia shumë herë dhe ne po e provojmë para syve tanë tani. Shqiptarët japin, po shqiptarët kanë nevojë për transparencë. Nesë shqiptarët krijojnë besimin se ajo që po dhurojnë do të shkojë në destinacionin e duhur nuk ngurrojnë të japin. Sensibilizohen dhe preken menjëherë pas publikimit të rasteve në nevojë dhe janë gati të venë në funksion të ndihmës çdo gjë që kanë mundësi.
- Çdo rast ka specifikën e tij, por cila është historia që ju ka prekur veçanërisht?
- Për mua çdo rast ka rëndësinë dhe mësimin e tij nga pas dhe historitë që më kanë mbetur në mendje janë shumë. Një prej tyre është rasti i Valbonës, një 13 vjeçare që unë e quaj heroinën e kohëve moderne. Valbona jetonte në Lumarë, një fshat i largët i Mallakastrës, me nënën e saj të paralizuar. Prej 4 muajsh babai i saj kishte humbur jetën dhe Valbonës i duhej të kujdesej për shtëpinë, për nënën e saj dhe të shkonte në shkollë. Kur shkuam e gjetëm në kushte ekstreme, mblidhte dru në mal, gatuante për nënën e saj dhe ishte një nxënëse e shkëlqyer në shkollë. Pas një fushate në rrjetet tona, një javë më vonë i blemë një shtëpi në qendër të Ballshit, dhe tani Valbona jeton në kushte normale si moshatarët e saj.
- Sa prej tyre kanë gjetur zgjidhje?
- Kemi punuar shumë fort për t’i zgjidhur të gjitha rastet ku kemi qëne. Statistikat e fundit të Fundjavë Ndryshe janë bërë disa muaj para, në dyvjetorin e fundjavës. Deri para pesë muajsh, kemi vizituar 14100 familje, kemi ndërtuar dhe restauruar rreth 150 shtëpi dhe pjesë aktive e nismës sonë janë bërë më shumë se 50 mijë shqiptarë. Ne kemi 8000 vullnetarë në të gjithë Shqipërinë, dhe jemi strukturuar në 6 qarqet më të varfëra të Shqipërisë, Tiranë, Durrës, Dibër, Vlorë, Elbasan dhe Pogradec.
- Nëse ke ndonjë mesazh për ta...
- Kam një mesazh së pari për njerëzit në nevojë; Nuk jeni vetëm! Ndërsa shqiptarët dua t’i falenderoj nga zemra dhe t’u them se të gjithë bashkë mund ta mposhtim varfërinë! Bamirësia nuk të varfëron!

Bisedoi: Mia Buci

eryttut.png

29177492_1991055381157616_3254886878750441472_n.jpg29178988_1991055351157619_1283427577704218624_n.jpg

 

29178089_1991055357824285_5741771559878524928_n.jpg

 

Article Logic
Execution time: 0.0036239624023438