INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Humbjet e eksporteve nga zhvlerësimi i euros kolosale

Humbjet e eksporteve nga zhvlerësimi i euros kolosale

Publikuar më: 09:25 21-01-2019

Eksportet arritën në 310 miliardë lekë për vitin 2018, sipas të dhënave të INSTAT, duke arritur në një nivel rekord, me një rritje prej 13.7% me bazë vjetore. 76% e eksporteve kishin si destinacion Bashkimin Europian (rreth 236 miliardë lekë), ku tregu kryesor është Italia, që priti 48% të totalit të eksporteve, ku peshën kryesore e zënë tekstilet dhe këpucët. 8.7% shkojnë në Kosovë (27 miliardë lekë), që përdor euron si monedhë zyrtare, duke e çuar në total në gati 85% peshën e eksporteve në monedhën e përbashkët. Pikërisht bizneset që eksportojnë në vendet e Bashkimit Europian dhe Kosovë janë goditur nga zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në 2018-s. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i euros në 2018-n ishte 127.6 lekë, nga 134.1 lekë vitin e mëparshm, me një nënçmim prej 5%.

Nëse kursi i euros do të kishte qenë i qëndrueshëm, të ardhurat e sipërmarrjeve që eksportojnë në vendet e BE-së do të kishin qenë të paktën 5% më të larta (ose rreth 263 miliardë lekë). Në vlerë absolute, humbja e eksportuesve është rreth 13 miliardë lekë, apo rreth 105 milionë euro, sipas vlerësimeve të Monitor, bazuar në ecurinë e eksporteve të raportuar në lekë dhe kursit vjetor mesatar të këmbimit. Humbja më e madhe i takon sektorit të tekstileve e këpucëve i cili ë rreth 40% të totalit të eksporteve dhe ka destinacion kryesor Italinë (e cila pret 80% të eksporteve të këpucëve dhe rreth 70% të tekstileve). Vlerësohet se për gjithë vitin, eksportuesit fason, që shitën mallra me vlerë 123.7 miliardë lekë, kanë humbur rreth 50 milionë euro, vetëm nga zhvlerësimi i monedhës së përbashkët. Eksportet e këtij grupi u rritën me 5.3% me bazë vjetore, ritmet më të ulëta që nga 2015-a.
Madje në dhjetor, eksportet e këtij grupi shënuan rënie me 5% me bazë vjetore, duke reflektuar efektin e zhvlerësimit të euros që në dhjetor zbriti në nivelet më të ulëta të dekadës, duke kaluar për pak ditë dhe nën 123 lekë. /Monitor

Article Logic
Execution time: 0.0036399364471436