Pas shumë mosmarrëveshjeve dhe vonesave më në fund hyn në fuqi marrëveshja e demarkacionit Kosovë- Mali i Zi. Ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Skënder Durmishi ia dorëzoi notën verbale drejtoreshës së përgjithshëm për çështjet ligjore ndërkombëtare malazeze, Tatjana Raspopovic.
“Pala malazeze është informuar se Kosova ka përfunduar procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes Kufitare Shtetërore midis dy vendeve e nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015”, shkruhet në notën verbale, raportojnë mediat e Malit të Zi. Siç njoftohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, në pajtim me Nenin 12 të Marrëveshjes, data e dorëzimit të notës së Kosovës gjithashtu është koha kur ka hyrë në fuqi marrëveshja, pasi të dyja palët kanë përmbushur procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi të saj. Shënimi i vijës kufitare Kosovë - Mal i Zi ka nisur para disa vitesh. Mali i Zi e kishte ratifikuar marrëveshjen në fund të dhjetorit 2015. Çështja e Demarkacionit është njëra ndër dy kushtet kryesore për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian për Kosovën. Procesi i votimit për lëvizje të lirë është shtyrë për në shtator, vetëm pse Marrëveshja për Demarkacionin nuk ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.