INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Hysaj: Nuk na kënaq barazimi, duam tri pikë ndaj Izraelit [VIDEO]

Hysaj: Nuk na kënaq barazimi, duam tri pikë ndaj Izraelit [VIDEO]

Publikuar më: 19:19 10-11-2016

Elseid Hysaj është një nga futbollistët më të mirë të kombëtares shqiptare të futbollit, dhe dy ditë para ndeshjes së rradhës për eliminatoret e Rusi 2018, ai është shprehur i bindur se objektivi i vetëm është fitorja. Mbrojtësi që aktivizohet me Napolin në Seria A, ka deklaruar në konferencën për shtyp se barazimi është i papranueshëm, pasi synimi i kuqezinjve është kualifikimi.

Hysaj tha se ekipi është mjaft i përqëndruar në ndeshjen me Izraelin , i cili është një ekip shumë i mirë.

 “Është një ndeshje shumë e vështirë pasi siç e dinë të gjithë, Izraeli nuk është një skuadër e lehtë për t’u përballuar. Besoj që jemi duke u përgatitur shumë mirë. Fakti që ndeshja u zhvendos për në futbollistët nuk përbën problem, mjafton që të jetë siguria e të gjithëve njerëzve që vijnë, që ta shohin ndeshjen të qetë dhe të jenë të kënaqur. Për ne nuk ndryshon shumë, thjesht të rrimë të përqendruar dhe të dëgjojmë atë që na thotë trajneri dhe pastaj të shohim. Të fitojë do e gjithë bota, të gjithë skuadrat e mëdha duan të fitojnë, por ne jemi profesionistë, besoj se të gjithë e kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, jemi duke e përgatitur akoma me ndihmën e trajnerëve dhe stafit. Na kanë ndihmuar që të shohim cilësitë e çdo lojtari dhe të skuadrës së Izraelit. Janë një skuadër e fortë por edhe në jemi në rritje. Nuk besoj se do të shkojmë në këtë ndeshje, pa e ditur se çfarë ekipi janë, besoj se do t’i përballojmë mirë”.

Ai i është përgjigjur gjithashtu pyetjes nëse skuadra ka presion apo jo.

“Presion nuk besoj se ka, sepse po paraqitemi mirë, nuk është se po paraqitemi keq. Me Spanjën ndodhi ajo që ndodhi sepse ajo është një prej skuadrave më të forta të botës, dhe i përballuam shumë mirë. Besoj që jemi të përgatitur dhe të shtunën do të shohim se si shkojnë punët”.

Objektivi i kombëtares?

“Ne e dimë shumë mirë që vetëm një skuadër kalon, e dyta shkon në playoff dhe e treta pastaj nuk fiton asgjë. Objektivi ynë është të kalojmë, ashtu siç kishim objektivin e Francës. Të gjithë mendojnë se është e pamundur, të gjithë mendojnë se nuk do t’ia arrijmë por mendoj se e kemi treguar njëherë që mund ta arrijmë dhe me këtë skuadër që kemi do mundohemi ta bëjmë përsëri. Por do të kryejmë këtë ndeshje të parë të vështirë shumë që kemi me Izraelin pastaj do të mendojmë për ndeshje të tjera dhe kualifikimin”.

Për synimin në ndeshjen e të shtunës

“Nuk jam dakord me barazimin, thjesht duhet të fitojmë, pasi pastaj janë edhe Italia me Spanjën, ata që duhet të ndjekim”.

Article Logic
Execution time: 0.0038130283355713