INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
I burgosuri vdes në spital, çështja shkon në Strasburg

I burgosuri vdes në spital, çështja shkon në Strasburg

Publikuar më: 10:52 18-05-2016

Çështja e pronës ka qënë dhe çështja kryesore për të cilën qytetarët i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut, gjatë 25 viteve të tranzicionit në vendin tonë. Por tashmë, Komiteti Shqiptar i Helsingut ka dërguar në Strasburg Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës për mosfillim të proçedimit penal. Çështja ka të bëjë me vdekjen e një të burgosuri në Spitalin nr. 2 në QSUT, në vitin 2011, për të cilën vëllai i të ndjerit hedh dyshime për mjekim të pakujdesshëm dhe trajtim ç’njerëzor. Në dy shkallët e para të gjyqsori kërkesa e tij është rrëzuar me pretendimin se ankuesi nuk legjitimohej për të bërë ankim, pasi nuk kishte qënë ai subjekti që kishte bërë kallëzimin penal për vdekjen e të vëllait.
Ja çfarë thuhet në njoftimin e KSHH:
“Në dt. 16.05.2016, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strasburgut), në të cilën parashtrohen shkeljet e kryera nga organet gjyqësore shqiptare ndaj shtetasit F.P (ankuesi). Vëllai i ankuesit, shtetasi Sh.K., ka humbur jetën në dt. 22.02.2011, në Spitalin nr. 2, QSUT “Nënë Tereza”, Tiranë, në kushtet kur ai ishte duke ekzekutuar dënimin me burgim. Ai vuante nga sëmundjet “psoriasis“ dhe “obezitet elefantoz“. Pas kallëzimit penal të bërë nga Komisariati i Policisë nr. 4, Tiranë, për këtë ngjarje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur mosfillimin e proçedimit penal. Gjykatat nuk e kanë legjitimuar ankuesin për të kundërshtuar vendimin prokurorisë për mosfillimin e proçedimit penal, duke i mohuar të drejtën e aksesit në gjykatë. Ankuesit i është mohuar gjithashtu e drejta për zhvillimin e një proçesi hetimor dhe gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm, lidhur me të gjitha kërkimet e tij për vdekjen e të vëllait, bazuar në dyshime tejet të forta dhe të arsyeshme.

Article Logic
Execution time: 0.0034499168395996