INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
I gjithë populli trajner futbolli!

I gjithë populli trajner futbolli!

Publikuar më: 12:05 02-06-2016

Nga Andi Bejtja

Kjo që po ndodh me shqiptarët në raport me kombëtaren e tyre që së shpejti do të përballet në sfidat e Euro 2016, nuk besoj se ka ndodhur më parë në ndonjë vend tjetër, në ndonjë kontinent tjetër, në çdo kohë të shkuar dhe në çdo kohë të tashme. Parrulla e vjetër komuniste “I gjithë populli ushtar “, sot është zëvendësuar me një parrullë që u formësua sa hap e mbyll sytë, “ I gjithë populli trajner”. Të gjithë i madh e i vogël, në çdo klub lagjeje, në çdo kioskë, në rrjetet sociale i japin këshilla dhe mend Trajnerit të Kombëtares De Biazi se kë duhet të lërë në stol e kë duhet të fusë në fushë, i japin skema loje me aq detaje e me aq hollësi, sa që psiqikisht është e frikshme. Është një histeri kolektive, që në fakt, fatkeqësisht tregon gjendjen e pjekurisë në të cilën ndodhet populli shqiptar në përgjithësi.
Thuhet se popujt për të mbërritur në të ashtëquajturën pjekuri kombëtare kalojnë në disa faza: në atë të folklorit, pastaj në atë të poezisë dhe më pas jo pa vështirësi, në fazën e prozës, e cila quhet dhe faza e pjekurisë. Pa dyshim, nga të gjithë treguesit, jo vetëm nga këto tregues që nxjerr marrëdhënia e shqiptarëve me kombëtaren e tyre, duket qartë që jemi në fazën e folklorit. Kemi një kombëtare që në letër, në shifra në aspektin komercial, kushton në rastin më të mirë sa dy lojtarë të çdo ekipi kundërshtar dhe jo vetëm në ëndrra ne pretendojmë jo veç të kalojmë grupin por të shkojmë edhe më larg. Në futboll mund të ndodhë gjithçka përderisa topi është i rrumbullakët dhe rasti i Leicester është i freskët si triumf i të voglit dhe proletariatit, po kjo si për mua ashtu edhe ndoshta për shumë shqiptarë të tjerë që nesër do t'i kthehen përditshmërisë dhe rutinës nuk ka shumë rëndësi, përveç gëzimit dhe haresë momentale. E gjitha çka po ndodh nuk ka sesi të reduktohet vetëm tek dashuria që kanë shqiptarët për futbollin apo tek shpresa që kanë shqiptarët tek kombëtarja e tyre.
Pyetja është përse ndodhi e gjitha kjo? Ndodhi si rrufe në qiell të hapur, apo e gjitha kishte kohë që flinte në një shtrat të vjetër disa dhjetra vjeçar? Personalisht, mendoj se është një lloj paraereksioni kolektiv që zgjohet herë pas here dhe sidomos nga disa arsye. Le ta fillojmë nga fundi.
Të gjithë i keni parasysh studio tona televizive, ku të ftuar me shkollë të mesme apo dhe me institut fiskulture, kritikojnë jo vetëm skemat e trajnerëve shqiptarë të futbollit, por marrin guximin të kritikojnë dhe skemat e Kapelos, Murinjos e Guardiolës me një lehtësi paranojake. Dhe po ky debat nuk ka si të mos zbresë më pas në çdo kioskë e në çdo klub, ku të tjerë “eksperta” kritikojnë këta që kritikojnë trajnerat në studio dhe trajnerët të kalibrit botëror bashkë e njëherësh. Dhe jo vetëm kaq. Po ashtu të gjithë i kemi parasysh analistët tanë “universalë” nëpër studio që komentojnë e japin zgjidhje si për problemet e trafikut e deri te menstruacionet e zgjatura të grave. Kjo është një “kulturë” e madhe, një “bagazh” i madh që kontribuon shumë në këtë drejtim.
Mund të shkojmë kollaj dhe me thellë dhe më larg. Diku, andej nga vitet ’80 dikush nga Shqipëria do të shkonte me shërbim pune në Itali. Siç ishte zakon, një ditë përpara se të nisej vinin për vizitë miqtë dhe të afërmit jo vetëm dhe thjesht për t’i uruar rrugë të mbarë, por edhe për t’i porositur diçka që ai t’i sillte kur të kthehej. Midis të tjerave, dy nga shokët e tij i dhanë dhe një zarf të mbyllur, për të të cilën i thane: - “Hape kur të arrish”- , në Itali. Dhe kur ky mbërriti dhe e hapi gjeti këtë letër me këtë titull: “Formacioni i duhur i Kombëtares Italiane të futbollit”, ku ishin shkruar të gjithë lojtarët që dy miqtë kishin caktuar të luanin dhe në fund shkruhej: “Të lutem, jepja Trajnerit të kombëtares Italiane Berzotit në dorë”.
Kjo nuk ka nevojë për shumë koment dhe flet shumë. Kam vënë re se në morinë e atyre që bëjnë kritika, hartojnë skema të hollësishme loje e u japin mend trajnerave të botës, se trajnerit tonë të kombëtares po e po, shumica janë njerëz pa profesion të mirëfilltë. Mentalisht një kimist në laborator as nuk e ka relenë e guximit t’i japi mend një profesionisti të një fushe tjetër, e aq më shumë një trajneri futbolli. Kjo është e vërtetë dhe për një profesor matematike, fizikant apo dentist. Fatkeqësisht, për dhjetra arsye historike, por dhe një sistemi eklektik arsimor ndër vite, eklektik televizv, etj jemi një popull që kur na pyesin çfarë pune di të bësh përgjigjemi "të gjitha".
Duhet të ndërgjegjësohemi se fakeqësisht si popull jemi akoma në fazën e folklorit, ndërsa fatmirësisht Kombëtaren e futbollit e kemi në Fazën e prozës. Kështu që thuajini “ Faleminderit” në partencë si De Biazit, si djemve të kombëtares, si Dukës, dhe lërini të luajnë futboll. Dhe për ne është më mirë parrulla “I gjithë populli tifoz” se sa “ I gjithë populli trajner”.

Article Logic
Execution time: 0.0037391185760498