INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
I jepet lamtumira e fundit Bac Ademit, 'Mandelës së Ballkanit'  [VIDEO]

I jepet lamtumira e fundit Bac Ademit, 'Mandelës së Ballkanit' [VIDEO]

Publikuar më: 11:31 28-07-2018

I është dhënë sot lamtumira e fundit Bac Ademit. Në Prishtinë është zhvilluar ceremonia shtetërore për veprimtarin e shquar Adem Demaçi. Kosova është në zi dhe flamujt për tre ditë janë ulur në gjysmështizë. Personalitete të shquara shqiptare nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, kanë qënë pjesë e kësaj ceremonie në sheshin “Skënderbeu’’. Mesazhi i fundit që i ati i la para se të mbyllte sytë, u përcoll nga Abetare Demaci, vajza e bac Ademit.
"Unë kisha një baba që e ndava me gjithë shqiptarët sepse edhe mua më ka konsideruar si një pjesë të popullit të vet. Kisha dashur të ndaj një mesazh që ai ma dha pasi u sëmur.
Ai tha: "Më e rëndësishmja në jetë është të njohësh vetveten".
Krerët e shteteve e kanë lartësuar Adem Demaçin me nderimet më të larta shtetërore.
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë:
“’Koha kur jetoi njeriu që mbajti 28 vjet burg do të njihet si Epoka e Adem Demaçit.Parimi kryesor i Adem Demaçit ishte bashkimi i shqiptarëve. Adem Demaçi ishte lufta e lavdishme e UÇK’së. Ideali i Demaçit ishte më i madh se rrahjet, burgosjet dhe dhuna e Serbisë. Ai gjithmonë rrezatoi humanizëm, mirëkuptim dhe solidaritet, paqe e guxim. Ai ishte i madh edhe kur fliste dhe kur kritikonte, ishte kolos i mendimit të lirë ”.
Ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Adem Demaçi ishte shqiptari që kurrë s’u dorëzua përballë sfidave.
“Jeta jote ishte luftë. Ia dole ta përballosh si rrallë kush. Evropa dhe gjithë bota të njohu si Mandela i Kosovës. Ti ke qenë dhe do të mbetesh Adem Demaçi shqiptar. Demaçi është heroi i përjetshëm i përpjekjeve për liri të shqiptarëve”, ka thënë Meta.

Pas përfundimit të ceremonisë, kortezhi në orën 12:00 së bashku me qytetarët u nis drejt varrezave të Velanisë.
Dje në parlamentin e Kosovës u mbajt një seancë përkujtimore ku u vlerësua lart vepra dhe personaliteti i zotit Demaçi e më pas janë bërë homazhe.
I lindur në vitin 1936 në Prishtinë, Adem Demaçi u bë i njohur si veprimtar për çlirimin e Kosovës dhe kaloi 28 vjet në burgjet e ish Jugosllavisë. Ai shpesh cilësohej jo vetëm si si Nelson Mandela i Kosovës, por i Ballkanit. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin "Sakharov". Gjatë periudhës 1998/1999, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave jo-shqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Zoti Demaçi drejtoi për një periudhe edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Autor i disa librave, njëra prej të cilave “Gjarpijt e Gjakut” ishte i ndaluar nga regjimi jugosllav. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”. Ai u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare.

 

Article Logic
Execution time: 0.003849983215332