Policia e Fierit ka arrestuar dy persona për shantazh me qëllim përftimi.
Operacioni policor i koduar "Koshovica" çoi në pranga shtetasit G.M, 44 vjeç dhe J.Sh, 46 vjeç, të dy banues në Cakran.
Arrestimi i tyre u bë nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit.
Dy të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shantazhuar dhe kërcënuar një shtetase, duke i kërkuar para dhe favore seksuale me qëllim mos publikimin në rrjetet sociale të disa fotove personale të saj.