INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
I mbijetuari i Auzhvicit tregon krimet. 'Babin dhe xhaxhain i sterilizuan me një thikë ndërsa mamin... [FOTO]

I mbijetuari i Auzhvicit tregon krimet. 'Babin dhe xhaxhain i sterilizuan me një thikë ndërsa mamin... [FOTO]

Publikuar më: 11:40 03-08-2018

4000 sinti dhe roman janë vrarë më 2 gusht 1944 në Auzhvic. Mano Höllenreiner nga Mynihu ishte dhjetë vjeç kur u transferua në një tjetër kamp përqendrimi. Sot është 84 vjeç dhe i mban mend mirë të gjitha torturat.

Mano Höllenreiner ecën me trupin drejt. 84-vjeçari i përshëndet vizitorët në kopshtin para shtëpisë në Mettenheim-in bavarez, rreth 80 km në lindje të Mynihut. Anës shkallëve të shtëpisë varen fotografi, ku ai është duke u treguar ish-presidentëve Christian Wulff dhe Joachim Gauck tatuazhin në dorë me numrin e të burgosurit të Auzhvicit: Z 3526. Gërma Z nënkupton “Zigeuner” (ciganë) – nën këtë term Gjermania nacionalsocliste përndiqte pjestarët e minoritetit më të madh europian. “Numrin në krah duan ta shohin të gjithë”, thotë ai dhe menjëherë përvesh mëngën. Kohët e fundit është dobësuar shumë, na thotë, dhe këmbët i dridhen. “Janë nervat”, í ka thënë mjeku i tij, “aspak e habitshme, me atë çfarë keni kaluar”.

44920069_303.jpg

Natën e 2 gushtit në të gdhirë të 3 gushtit 1944 “Zigeunerlager” (kampi i ziganëve) në Auzhvic-Birkenau u shpërbë. Burra, gra dhe fëmijë u mbytën nëpër dhomat e gazit, kufomat e tyre u dogjën. Historianët në muzeun Auzhvic kanë zbuluar tani, që në këët natë janë vrarë të paktën 4000 dhe jo 2900, sikurse mendohej deri më sot. Mano Höllenreiner me prindërit dhe motrën e tij Josefine, të quajtur Lilly, pak më parë ishin larguar – në kampin e përqendrimit Ravensbrück. Ai ka humbur shumë vetë nga far e fisi i tij në Auzhvic: kushërinj dhe fëmijët e tyre, hallën dhe “gjyshen e dashur, që e doja shumë – edhe ajo në dhomat e gazit”. 36 të vdekur numëron familja Höllenreiner prej përndjekjes nga nacionalsocialistët. Nëna e tij ka pasur paraardhës hebre. “Unë jam një përzierje e mirëfilltë”, thotë ai. Nga familja e nënës kanë vdekur madje më shumë se njëqind vetë. 84-vjeçari nuk do të shkojë më në Auzhvic, ky është sot një stërmundim i madh për moshën e tij.

 

Të vdekurit e stivuar – “aq lart sa shtëpia ime”

Teksa i ringjallen kujtimet ai sërish dëgjon britmat nga kampi i përqendrimit. Të vdekurit e Auzhvicit bëhen të dukshëm – në mes të dhomës së ndjenjës me mobile antike bavareze. “Kur fëmijët vdisnin, nënat vinin kujën. Pastaj ata i hidhnin një stivë”, kujton ai regjimin brutal të rojeve të kampit. Kushëriri i tij Hugo dhe ai erë, ende fëmijë në shkollën fillore, bartnin të vdekurit, ndër to edhe një fëmijë i vogël: “Unë pashë kokën”, edhe sot atij i lexohet tmerri në fytyrë: “Një kokë fare e vogël!” Kufomat stivoheshin. “Të vdekurit arrinin deri sipër kaq lart sa në shtëpinë time”, thotë ai me një vështrim të trishtueshëm duke treguar tavanin e dhomës, sikur do t’i shihte ata aty.

Nga njëra anë ai do të preferonte më mirë të harronte gjithçka, “por kujtimet i vijnë vazhdimisht”, na thotë Höllenreiner. Gruaja e tij tregon për netët me ëndrra të këqija, kur ai lëshon ndonjëherë britma jashtë njerëzores. Burri i saj e vështron atë me mirënjohje: “ajo ka duruar shumë më mua.” Mano Höllenreiner pikërisht për këtë arsye angazhohet kundër harresës. Ai ka mbajtur shumë referate, shpesh para nxënësve të shkollave, në mënyrë që “të rinjtë gjermanë ta dinë se çfarë kemi përjetuar në kampet e përqendrimit dhe që ai ishte një sistem kriminelësh”. Disa nxënës kanë qarë e të tjerë kanë duartrokitur, një vajzë e ka përqafuar atë një herë duke qarë. “Ka gjermanë të mirë”, thekson ai. Për punën e tij për zbardhjen e së kaluarës është vlerësuar me Kryqin e Meritave të RFGJ-së.

44902722_401.jpg

Mano dhe familja e tij, 1946

Mësuesi i tij: “Një nazist tipik i vogël”

Mano, i lindur në vitin 1933, shpesh herë largohej nga klasa kur ishte në shkollë dhe fshihej pas altarit të kishës. Mësuesi e provokonte atë, ndonëse ai nuk dukej aspak si sinti, na thotë: “Ai ishte një nazist tipik i vogël”. Babai Johann Höllenreiner kishte një sipërmarrje udhëtimi me kuaj, po ashtu edhe vëllai i tij. Ata i fyenin si “Zigeuner” (ciganë). Lufta e Dytë Botërore filloi, babai shërbente në Vehrmaht, familja u zhvendos në fshat. Mano luante me fëmijët e fermerëve: “Unë nuk e dija që isha cigan”, kujton ai. Por gjyshja e tij është rrahur nga një bujk, kur ajo me një kaçile në shpinë kishte dalë të shiste copa, kopsa, penj dhe dantella. Babai dhe xhaxhai u përjashtuan nga ushtria për arsye “politiko-racore”. Një Anamnezë e higjienës racore në qendrën hulumtuese, e cila regjistronte minoritetet, e regjistroi familjen në fund të vitit 1941 si të përzier me cigan “Zigeunermischlinge”. Të kthyer në Mynih babait dhe xhaxhait iu desh të kryejnë punë të detyruar për të shtruar rrugët me kalldrëm nën vrojtimin e policisë.

Në mars 1943 në mëngjes herët policia trokiti në derë. Familja duhej të nisej menjëherë, madje as nuk mundi të merrte gjë me vete. Qeni i vogël i Manos mbeti aty. Të mbyllur në polici ata u takuan me të afërm të tyre dhe sinti të tjerë. “Por ne ishim gjermanë!”, Mano Höllenreiner edhe sot nuk arrin ta kuptojë përndjekjen pa arsye: “Gjyshi dhe stërgjyshi im, kishin qenë në ushtri. Ne jemi sinti gjermanë!” Prej shekujsh familja Höllenreiner ka jetuar në Bavari.

Mano_me_motren_e_tij_Lilliy_dhe_babin.jpg

Mano me motren e tij Lilliy dhe babain

 

Nëna e shpëton Manon

Para 75 vjetësh një fakt i tillë nuk kishte vlerë. Të gjithë u çuan në stacionin jugor të trenit në Mynih duke u ngjeshur nëpër vagonë bagëtish, pa ushqim, pa tualet – një tmerr edhe për druajtjen e grave, kujton Mano Höllenreiner. Nga babai ai dëgjoi, se u kanë premtuar një fermë në Poloni. Për nëntë vjeçarin ky udhëtim dukej si i pafund. Herë pas here vagonin e spërkatnin me një zorrë uji. Njerëzit e parë filluan të vdesin rrugës.

Me mbërritjen në Auzhvic-Birkenau për të ishte e qartë, ferma qe një gënjeshtër. Secilit iu vu tatuazhi me numrin në krah dhe iu qethën flokët tullë. Familja u depërtua në kampin e ciganëve në bërraka me krevate me kate. Familja e Manos ndodhej sipër. Më pas krevatet nuk ishin të qëndrueshëm. Ai një herë u rrëzua me fytyrë në dysheme, i plasi gjaku nga hundët dhe mbeti i shtrirë pa ndjenja. Else Höllenreiner tregon atë që i pat rrëfyer vjehrra: Ajo nuk e çoi Manon tek mjeku i kampit, sepse kishte frikë, që nuk do ta shihte më. Për ditë me radhë ajo e mbante atë pas vetes edhe gjatë apelit të mëngjesit. kështu ajo e shpëtoi atë. Për gjithë të burgosurit ishte detyrim paraqitja në orën katër të mëngjesit edhe në dimrin me borë. “Gratë e moshuara ngrinin, binin përdhe dhe mbaronin”, kujton Mano Höllenreiner: “Që ne ende jetojmë, kjo është një mrekulli.”

“Ne mendonim, se do të përfundonim në dhomën e gazit”

Nëna e Manos i paralajmëronte fëmijët të mos e pinin ujin e kontaminuar prej tifos në Auzhvic. Por ata kishin etje dhe megjithatë pinin. Për të ngrënë kishte një copë bukë dhe rrepa të kalbura. Një herë Mano pas punës kaloi përpara shtëpisë së një SS, ku një qen kishte tasin e tij. Ai u afrua me kujdes, ia tërhoqi tasin e ushqimit, por qeni vetëm hungëroi. SS e ndoqi atë. Ai ka ndeshur edhe mjekun SS Josef Mengele. Manos i duhej të mbante epruvetat me preparate: Organe të fëmijëve, që kishte vrarë Mengele në “Zigeunerlager”. Mizoria e Mengeles ishte pakufi: “Binjakët e vegjël ai i hidhte nga akëti i tretë dhe pastaj i qepte sërish.” Kushëriri i Manos, Hugo dhe vëllai i tij janë operuar prej Mengeles dhe kanë marrë plagë të rënda abdominale.

Në “Zigeunerlager” të gjithë i njihnin krematoriumet aty pranë, flakët nga oxhaku dhe erën e mishit të djegur. Më 1944, kur kampi duhej të shpërbëhej, familja Höllenreiner bënte pjesë ndër ato që duhej të transferoheshin. Kur ata ndodheshin në tren, ai lëvizi në drejtim e pasmë drejt krematoriumit. Të gjithë bërtitën nga frika. “Ne menduam, se do të na fusin në dhomën e gazit”, tregon Mano Höllenreiner. Por më pas treni eci në drejtimin e duhur. I mbijetuari merr frymë thellë, duket i emocionuar: “Nëna e babai, të gjithë bërtitën. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë më!” Herë pas here ai ndalet: “As që mund ta përshkruash se si ka qenë vërtetë në Auzhvic, në kamp përqendrimi. Ka qenë shumë më keq nga unë po ju tregoj.”

Sterilizim i detyruar, minj, puding

Në kampin e përqendrimit Ravensbrück burrat e gratë u ndanë. Nëna e Manos dhe motra Lilly u vendosën në kampin e grave. Ai kishte frikë, se ato do t’i vrisnin. babain e tij, xhaxhain dhe kushëririn i sterilizuan me detyrim, të gjithë më një thikë, thotë ai. Ai vet bashkë me një djalë polak ishin fshehur për ditë të tëra poshtë krevateve me tre kate. Aty poshtë kishte minj të mëdhenj, kujton ai: “Për pak do të kisha vdekur.”

Babai dhe të tjerët pas kësaj ndërhyrjeje brutale ishin dobësuar ekstremisht. Dhjetëvjeçari Mano hynte fshehurazi në kuzhinën e të burgosurve. Ai ia doli të vjedhë një tenxhere të madhe me puding, na tregon, por më vonë e kapën. Një SS e detyroi atë të kërcente mbi një stol dërrase. “Majtaj, djathtas, derisa ai nuk mundej më”. Ai u rrëzua dhe vrau këmbën duke i rënë të fikët. Por që të tjerët ndërkohë e kishin ngrënë pudingun, kjo e gëzon atë edhe sot. Nga plaga atij i ka mbetur një shenjë, na thotë. Shumë më vonë ai mësoi, se edhe nënën e tij e kishin sterilizuar në Ravensbrück. Ajo ia ka treguar nuses së djalit, se i patën bërë një injeksion me acid. Pas kësaj ajo kishte pasur dhimbje dhe frikë.

43266801_401.jpg

 

Marshi traumatizues i vdekjes: “Nuk ia vlen të harxhosh dy plumba”

Manon dhe babain nga Ravensbrück i transferuan në kampin Sachsenhausen, jo larg Berlinit. Lufta po afrohej gjithnjë e më pranë. Babai dhe të tjerë ish-ushtarë duhej të dilnin sërish në front. Ata i patën veshur me uniforma SS duke ia dorëzuar trupave ruse, indinjohet 84-vjeçari. Por për fat burrat me tatuazhin e numrit nga Auzhvici nuk i pushkatuan.

Manon nga kampi Sachsenhausen e detyruan në dalë në marshimin e vdekjes drejt Perëndimit, të cilit vetëm pak i mbijetuan. Të burgosurit e rraskapitur duhej të ecnin me kilometra të tëra. Kush rrëzohej e nuk ngrihej shpejt prej borës së thellë e ekzekutonin. Një përjetim që i është ngulitur në kokë të mbijetuarit: “Dy plumba nuk ia vlen t’i harxhosh”, i thanë babait hebre dhe djalit të tij një SS. Ata të dy duhej të rinin njeri pas tjetrit, djali duhej të hapte gojën, e kësisoj SS qëlloi. Mano pa më sytë e vet se çfarë shkaktoi plumbi, ai ndodhej aty pranë.

Paris në vend të Mynihut: “Mos thuaj që je gjerman”

Bashkë me kushërinjtë e tij dhe të tjerë djem ata mundën të arratisen, kur luftimet ishin fare pranë. Ata vunë re se si SS hoqën uniformat e tyre dhe veshën rrobat e të burgosurve, kujton ai. Kur rusët dhe gjermanët qëllonin ndaj njeri-tjetrit ata qëndruan për orë të tëra në ujin akull të ftohtë. Më pas ata u larguan duke ecur zig-zag për të mos u prekur nga të shtënat. Mano nuk mundej më. Të burgosur francez të liruar e morën atë gjatë rrugës me një automjet. Ata e mësuan atë: “mos thuaj që je gjerman.”

Lufta mbaroi, njëmbëdhjetë vjeçari Mano ndodhej në Paris. Një grua nga Alzasa, që fliste gjermanisht, e mori atë në shtëpi. Ajo ishte për të “teze Fifine”, dhe djali i saj Paul ishte si vëllai i tij. Por meqenëse ai bërtiste dhe kishte sjellje ekstreme, e trajtuan me elektroshok. Sidoqoftë ai gjeti mjaft ngrohtësi dhe madje donin ta adoptonin. Por në dhjetor 1946 Mano Höllenreiner u kthye tek familja e tij në Mynih, që e kish kërkuar atë. Historinë e tij e rrëfen autorja Anja Tuckermann në librin e saj “Mano”. Për 84 vjeçarin është e rëndësishme, që njerëzit ta dinë, se çfarë ka ndodhur gjatë nacionalsocializmit.

44440796_404.jpg

Libri 'Mano'

Armiqësi dhe mbështetje

Racizëm dhe armiqësi pjesëtarët e familjes Höllenreiner kanë përjetuar për një kohë të gjatë edhe pas 1945. Dikush donte ta “pastronte vendbanimin e tyre nga “hebrenjtë, turqit dhe ciganët”, na thotë bashkëshortja Else Höllenreiner. Kur vajza e tyre Carol hapi një dyqan mode për fëmijë, u tha, se ky është një vend ku pastrohen “paratë e ciganëve” – ndoshta prej smirës për tregtinë e suksesshme me antikitete prindërve të saj. Else Höllenreiner u përball me këta njerëz dhe i paditi ata. Që në Mettingen dikur ka qenë një kamp përqendrimi, këtë ata e kanë mësuar pasi e kishin ndërtuar aty shtëpinë.

Por ka edhe mjaft gjëra pozitive. Djali i fqinjit Maxi e çoi në shkollë librin “Mano” dhe mësuesit e ftuan të mbijetuarin. Ai thotë, se është i kënaqur, që shumë nxënës njihen me historinë gjatë mësimit. Një shkollë e rajonit prodhoi një film dokumentar për të. Gjatë një demonstrate kundër ekstremistëve të djathtë shumë të rinj e kanë mbështetur atë dhe kryetari i bashkisë i ka thënë, që është në çdo kohë i gatshëm t’i mbështesë.

Me atë që ai ka përjetuar mund të ishte i tërhequr dhe skeptik ndaj njerëzve, por jo Mano është i dashur e i përkushtuar për njerëzit. Pasi na ka mirëpritur në shtëpinë e tij, duke na përcjellë deri tek gardhi i oborrit na thotë: “na njoftoni kur të mbërrini në shtëpi”. Andrea Grunau /DW/

 

44896258_401.jpg

Mano me bashkëshorten Else

Article Logic
Execution time: 0.0046629905700684