INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
I nxehti afrikan: Ja si po e përballon Evropa verën më të nxehtë ndër shekuj

I nxehti afrikan: Ja si po e përballon Evropa verën më të nxehtë ndër shekuj

Publikuar më: 08:04 03-08-2017

Europa po përjeton këto ditë një mot ekstrem, me valët e të nxehtit afrikan dhe përmbytje. I nxehti ekstrem ka shkaktuar zjarre në vendet e jugut të kontinentit si Kroacia, Italia, Mali i Zi, Portugalia apo jugu i Francës, ndërkohë që thatësira ka sjellë probleme të furnizimit me ujë në shumë zona.

Turistët në plazhet e Kroacisë qëndrojnë poshtë çadrave dhe herë pas here, kridhen në det për t’u freskuar. Me temperaturat që shkojnë deri në 40 gradë celsius në hije, shumë syresh e shmangin detin nga paraditja deri në pasdite vonë.

“Në mesditë është nxehtë. I rrijmë larg detit. Duhet të kujdesemi për veten,” shprehet një turiste. “Pasdite flemë. Notojmë herët në mëngjes dhe në mbrëmje, nga ora 06:00 deri në 08:00,” thotë një turist. Pas valëve të të nxehtit që vijnë nga Afrika Veriore, shërbimet e urgjencës i kanë paralajmëruar të moshuarit dhe njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kronike të zemrës që të mos dalin nga shtëpia në oraret e pikut.

Zjarri i muajëve të fundit në qytetin bregdetar të Splitit shkatërroi mijëra hektarë pyje, tokë bujqësore dhe të paktën 15 shtëpi. Shumë qytete bregdetare u goditën nga stuhitë dhe dallgët e detit arritën lartësi të pazakonta.

Gjendja duket më e qetë më në veri të kontinentit. Në kryeqytetin çek, Pragë, vendasit dhe turistët përpiqen të freskohen sadopak, duke lundruar varka në lumin Vltava. Instituti Meteorologjik i Çekisë paralajmëroi se vala e të nxehtit mund të vazhdojë deri në fund të javës.

Organizata Botërore e Meteorologjisë me bazë në Gjenevë thotë se moti ekstrem, si ky këtë vere, është i pazakontë.

“Gjen pak raste të ngjashme në 150 vitet e kaluara, por tre dhjetvjeçarët e fundit, kemi shënuar përherë e më shumë situata ekstreme klimatike, si kjo e këtij viti”.
Organizata thotë se temperaturat do vazhdojnë të rriten, nëse nuk kufizohen aktivitetet që kontribuojnë në ngrohjen globale.

Ajo bën thirrje që njerëzit të marrin masa për t’u mbrojtur nga kushtet ekstreme të motit, duke krijuar sisteme paralajmëruese, strehë dhe ekipe të ndërhyrjes së shpejtë.

Kopshti Zoologjik i Vienës ka marrë ndërkohë masa për ta bërë të nxehtin e verës më të përballueshëm për kafshët. Pishina e elefantëve u ndërtua në kohë për verën.

Article Logic
Execution time: 0.0038411617279053