9 vite pasi mposhti tumorin në mënyrë heroike gjersa ishte shtatzënë, Adriana Matoshit i duhet të përballet edhe njëherë me këtë sëmundje, e cila i është rikthyer.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë aktorja e njohur dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës.
Me pozitivitetin që e karakterizon dhe plot vullnet përmes një mesazhi të gjatë ajo ka zbuluar lajmin duke treguar forcën dhe gatishmërinë e saj për ta mposhtur edhe njëherë këtë sëmundje.
Pas publikimit të këtij lajmi një numër shumë i madh i skenës dhe politikës shqiptare i dolën në përkrahje aktores.
Madje dikush i ka ofruar edhe ndihmë financiare rreth shërimit.
Bëhet fjalë për Labinot Tahirin, i cili publikisht doli vullnetar për të mbledhur para nëse i nevoiten asaj.
Ndihmës së ofruar iu përgjigj deputetja e Kuvendit të Kosovës që e falënderoi duke shtuar se operacioni nuk i ka kushtuar shumë shtrenjtë dhe se për këtë i kanë ndihmuar edhe shoqëria e njerëzit e afërm.
“E vlerësoj shumë iniciativën e faleminderit nga thellësia e shpirtit. Faleminderit Zotit operacioni im nuk ka kushtuar aq shtrenjtë dhe gjithashtu koleget dhe shoqëria më kanë ndihmuar”.
“Uroj që gjithsecili njeri që është i sëmurë ta ketë forcën e Zotit për t’i përballuar dhimbjen e njerëzit përreth që e kanë zemrën e madhe për kontribut. Ju dua fort”, u përgjigj Matoshi.
Aktorja nga Gjilani për herë të parë u diagnostikua me tumor në tru në vitin 2012, kur ishte shtatzënë me fëmijën e katërt.
Ajo tha se tani iu rikthye pas një kohe të gjatë gjë të cilën besohet se do ta kalojë sërish.
Sot gjithashtu u krijua eventi “Ecim për Adrianën” në shenjë solidarizimi për artisten e mirënjohur, ku morën pjesë figura të shumta publike e qytetarë.