Është arrestuar ditën e sotme nga policia shqiptare një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në pranga është vënë 29 vjeçari, Bledar Zefi i cili është dënuar nga gjykata italiane me 10 vite burg për ''vjedhje me armë''.
Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.3 në bashkëpunim me Interpol Tirana, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Bëhet me dije se Gjykata e Genovës/Itali e ka dënuar 29 vjeçarin me 10 vjet burg, për veprën penale “Vjedhja me armë e organizuar në grup kriminal” parashikuar nga nenet 61, 110, 624 dhe 625 të Kodit Penal Italian.
Veprimet e mëtejshme për Bledar Zefin do të kryhen nga Zyra e Interpolit Tiranë.