Këngëtarja Anxhela Peristeri, që përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, reagoi për herë të parë pas shfaqjes finale të shtunën. Trofeu shkoi për rrokerët italianë, por Anxhela u rëndit e 21-ta dhe u shpreh se ajo fitoi dashurinë e qytetarëve.
Ajo i garantoi mbështetësit se rezultati i votimit nuk e ka mërzitur sepse i di shumë mirë vlerat që ka.
“Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për çdo mesazh që më keni dërguar dhe për çdo cent që keni harxhuar për të votuar Shqipërinë në Eurovizion! Ju jam shumë mirënjohëse dhe sinqerisht është ndjesia më e bukur që kam përjetuar gjatë gjithë karrierës sime! Ishte një super eksperiencë që do e ribëja padiskutim shuuumëëë herë dhe do më mungojë shumë kjo ndjesi dhe ajo skenë! Ju dua shumë! ❤️ Për të gjithë ju që më shkruani të mos mërzitem se është çdo gjë politike, ju siguroj që nuk jam mërzitur fare! E shijova shumë natën e mbrëmshme dhe rezultati nuk është se më ndikoi. Unë e di se kush jam, me çfarë po paraqitem dhe çfarë meritoj dhe atë që më shumë doja, e mora pa kursim! Dashurinë tuaj ❤️Ju falënderoj që ishit krenarë për mua ?????????”