Dietologia Blerina Bombaj ka denoncuar grabitjen e çantës së punonjëses së saj në ambientet e punës, e cila kishte brenda rreth 2 milion lekë të vjetra dhe disa sente të tjera me vlerë, si: karta e identitetit dhe patenta.
Me këtë rast, ajo ka publikuar edhe një foto dhe një video të autorit, në të cilën shihet se si ai hyn në zyrë dhe merr portofolin tek një çantë, e cila është sipër një karrigeje dhe më pas largohet.
“Vjedhje ne mes te dites, ne mes te njerezve! Ky ‘zoteria’ ka hyre serbes serbes sot ne zyren tone dhe ka vjedhur nga canta e punojeses se zyres portofolin me 20mije leke te reja, karte identiteti dhe patente. Gjithcka eshte filmuar ne kamera dhe eshte denoncuar ne polici”, ka shkruar fillimisht Bombaj, ku komentin e saj e ka shoqëruar me foton e personit.
Në një postim të dytë, ajo ka publikuar edhe videon teksa bën thirrje që të shpërndahet sa më shumë nga ndjekësit e saj në ‘Facebook’, në mënyrë që të shihet nga sa më shumë njerëz.
“Shikoni vjedhjen e portofolit ne zyren tone, vetem 40minuta me pare, nga ky palaco burre me thinja dhe kemishe! Ju lutem shperndajeni ta shohin sa me shume njerez kete bastard!”