Sinan Idrizi, administratori i Flamurtari, ka lëshuar një sinjal të qartë për Bashkinë e Vlorës, teksa ka paralajmëruar se nuk do vijojë ta mbajë ekipin, nëse nuk i përcaktohet saktësisht statusi i tij në klub.
“Nuk e kam nisur punën dhe nuk kam ndërmend ta nis punën për sezonin e ardhshëm, nëse nuk më tregojnë se çfarë statusi kam. Nuk është normale, që të vijnë lekët një herë në 5 muaj. Kështu, kërkoj që të më tregojnë se cili është statuti im”, thotë fillimisht në “Sport Ekspres” Idrizi.
Privatizimi është ngërçi më i madh dhe Idrizi kërkon që të hapen rrugët për diçka të tillë, teksa thekson së nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk ka përse të qëndrojë më në krye të klubit.
“Ata, të cilët e drejtojnë këtë qytet, duhet të hapin dritën jeshile për privatizimin e Flamurtarit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk kam përse të vijoj. Nuk ka më kuptim të vijojmë me këtë rrugë. Personalisht, e kam shumë të vështirë të vijoj të administroj Flamurtarin në këtë mënyrë. Duhet të ndahet; ose ta bëjë bashkia me të vetët, ose ta marrë privati.
Dua t’i paguaj lojtarët e mi çdo muaj dhe kështu nuk vazhdohet më. Nuk mund të mendohet për sezonin e ri, nëse nuk ka një zgjidhje”, ka deklaruar ndër të tjera Idrizi.