INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ilir Meta i gatshëm të shtyjë datën e zgjedhjeve

Ilir Meta i gatshëm të shtyjë datën e zgjedhjeve

Publikuar më: 10:09 24-05-2019

Presidenti, Ilir Meta ka shprehur gadishmërinë e plotë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve vendore. Ky reagim ka ardhur pas apelit të koalicionit politik në Gjermani CDU/CSU drejtuar dje spektrit politik në Shqipëri ku kërkojnë që palët të diskutojnë për çdo temë, madje për të shtyrë zgjedhjet lokale.

Në përgjigje, kreu i shtetit është shprehur i gatshëm të ndryshojë dekretin që ka të përcaktuar datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.  “Në këtë kuadër, shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike. Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e Ilir Metës.

Sipas Metës zgjedhje pa opozitën nuk mund të quhen demokratike. “Vlerësoj faktin që edhe Parlamenti Gjerman, ky institucion kyç i partnerit tonë strategjik, ka paralajmëruar se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik, duke u pamundësuar qytetarëve shqiptarë zgjedhjen mes alternativave konkurruese”, reagon Meta, duke theksuar më pas se zgjidhja e krizës është e rëndësishme edhe për integrimin e vendit në BE.

 

Article Logic
Execution time: 0.0037939548492432