I pari politikan shqiptar, që ka ngushëlluar Brukselin është Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Teksa ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, thekson se Shqipëria është e vendosur për të qëndruar në krah të partnerëve euro-atlantikë për të çrrënjosur celulat terroriste.
“Ne jemi në solidaritet të plotë me Belgjikën dhe me të gjithë qytetarët e Brukselit. Terrorizmi nuk ka vend në Evropë. Shqipëria është përkrah partnerëve tanë euro-atlantikë për të ç’rrënjosur celulat terroriste. Sulmi ndaj Brukselit, është sulm ndaj gjithë Evropës dhe njerëzimit. Ngushëllime familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Ne jemi të vendosur së bashku të mbrojmë vlerat demokratike që na bashkojnë”, shkruan Ilir Meta.
Por disa orë më pas ka reaguar dhe Kryeministri, Edi Rama në lidhje me sulmet vdekjeprurëse, që ndodhën në Bruksel. Në Twitter, Rama shkruan se bombat që kanë goditur Evropën do të ringrenë BE-në për të rifituar këtë luftë.
“Bombat që mbjellin vdekje për të pafajshmit në zemrën e Europës do ta ringrenë Europën për ta fituar në emër të lirisë këtë luftë të re”, shkruan Rama në rrjetin e tij social.
Ngushëllimeve iu është bashkuar dhe Presidenti Bujar Nishani i cili gjatë takimit me sekretarin e Përgjithshëm të Europës, Thorbjorn Jagland ka shprehur keqardhjen për viktimat e sulmeve terroriste.
Nishani tha: "Dëshiroj të përfitoj nga ky rast që të shpreh në emrin tim, por edhe në emër të popullit shqiptar ngushëllimet për familjet e viktimave të shkaktuara nga akti terrorist në Bruksel si dhe gjithashtu solidaritetin e shqiptarëve për popullin belg! Ne do të jemi të bashkuar dhe të fortë për ta sfiduar këtë kërcënim, këto akte barbare, që nuk përfaqësojnë vlerat sidomos ato të fesë si bashkëjetesa, harmonia dhe respekti".
Edhe Kryetari i Partisë Demokratike, në një status në Facebook, ka ngushëllimuar familjarët e viktimave dhe ka dënuar aktet që ndodhën në kryeqytetin e Belgjikës.
Basha shkruan: “Aktet terroriste sot në kryeqytetin e Europës morën dhjetra jetë të pafajshme. Ato janë dëshmi e urrejtjes së verbër çnjerezore e të pafevë, që ushqen dhe motivon terrorin. Ngushëllime familjeve, që humbën të dashurit e tyre. Partia Demokratike solidarizohet me popullin dhe autoritetet belge dhe europiane në këto momente të veshtira”!