INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ilir Meta ngushëllon familjen e Andrea Stefanit

Ilir Meta ngushëllon familjen e Andrea Stefanit

Publikuar më: 10:37 06-12-2016

Nëpërmjet një mesazhi publik, Kryeparlamentari Ilir Meta i ka përcjellë ngushëllimet bashkëshortes dhe dy fëmijëve të Andrea Stefanit, në ditën kur ai do të përcillet për në banesën e fun dit. Analisti i njohur humbi jetën nga një sëmundje e rëndë, ndërsa Ilir Meta thotë se vendi ynë humbi një luftëtar të fjalës së lirë.
Ilir Meta:
E dashur Enkelejda,
Të dashur Daniel e Stefani,
Kam provuar trishtim, dëshpërim dhe një dhembje të pafund kur mësova lajmin e hidhur e të pabesueshëm për Andrean. E dija që kishte muaj që kishte nisur një betejë të fortë, të madhe, të rëndësishme, por isha i bindur se ajo nuk do të ishte beteja e fundit e këtij luftëtari të paepur.
Isha i bindur se Andrea do të triumfonte në këtë betejë vetjake që nuk e bënte thjesht dhe vetëm për veten e tij, por e bënte edhe për Ju, familjarë e të afërm të tij, e bënte edhe për ne, të njohurit e tij të shumtë, edhe për gjithë atë armatë të madhe lexuesish dhe shikuesish shqiptarë, të cilët e lexonin dhe e shikonin botën tonë të vogël, edhe nëpërmjet fjalës së tij të lirë.
Andrea është nga ata njerëz të rrallë për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja për të kuptuar sesa e rëndësishme ka qenë prania e tyre.
Andrea ishte i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si kundërshtar.
Kush e ka njohur në këto dy anë të shfaqjes së tij publike, ndoshta ka pasur fatit të njohë edhe lirinë e tij që ai e vuri pa hezitim në shërbim të publikut.
Dhe Andrea ka qenë luftëtar i lirisë dhe lirisë së fjalës që e kultivoi si pakkush.
Secili nga ne i ka një borxh mirënjohjeje Andrea Stefanit! Ikja e tij ka lënë një dhembje të madhe për familjarët e tij, për bashkëshorten Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel dhe Stefani dhe një boshllëk të madh për gjithë shqiptarët, të cilët nuk qenë kurrë indiferentë ndaj fjalës së tij, pavarësisht se e donin apo e kundërshtonin atë.
Unë bashkoj sot me të gjithë Ju, dhembjen time dhe ju shpreh gjithë trishtimin tim për humbjen e këtij njeriu të veçantë, kalorës fisnik dhe luftëtar të madh të fjalës.
Sinqerisht,
Ilir META

Article Logic
Execution time: 0.0048501491546631