Këto janë momentet e fundit të përgatitjes së ceremonisë përuruese të fillimit të detyrës së Presidentit Ilir Meta në ambientet e godinës së presidencës. Kamera e IN tv ka ndjekur nga afër paraditen e sotme lëvizjet në godinën e presidencës. Ambientet e oborrit të presidencës kanë marrë formën përfundimtare, por edhe ambientet e brendshme tashmë janë gati për ceremoninë përuruese të presidentit Ilir Meta.
Presidenti në ikje Bujar Nishani ka qëndruar në zyrë edhe në ditën e fundit të detyrës, ndërsa punonjësit bënin gati gjithçka për ceremoninë e pasdites. IN tv ka mësuar disa detaje të ceremonisë si dhe numrin e pjesëmarrësve.
Me mbërritjen në presidencë, Ilir Meta do të zhvillojë një takim më presidentin në ikje Bujar Nishani, e pas këtij takimi do të nisë ceremonia përuruese e fillimit të detyrës. Dy familjet presidenciale do të dalin në hyrje të godinës së presidencës.
Ceremonia nis me ekzekutimin e himnit kombëtar për të pasuar me 21 të shtëna topi, ndërsa Truproja e Nderit parakalon përpara presidentit duke paraqitur forcën. Proces të cilin IN tv ka arritur ta xhirojë në provën gjenerale të dy ditëve më parë.
Pas kësaj Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja i dorëzon Presidentit Meta në mënyrë simbolike Kushtetutën e vendit. Pas kësaj Presidenti Ilir Meta mban fjalë e tij të rastit, e më pas familja e presidenti Nishani largohet nga ambientet e godinës së presidencës. Në përfundim të ceremonisë Meta mban dhe pritjen e rastit për të ftuarit.