Me ftesë të Presidentit të Parlamentit të Greqisë Nikolaos Voutsis, Kryeparlamentari shqiptar Ilir Meta ka nisur këtë të hënë një vizitë 3 ditore në Athinë. Nëpërmjet një njoftimi zyrtare të shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit e Kuvendit, është bërë me dije dhe agjenda e Kryeparlamentarit. Ndërsa përpara nisjes Ilir Meta dha një deklaratë të shkurtër për mediat.
Ilir Meta:
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie që shkojnë përtej kontakteve politike që gëzojmë mes dy vendeve tona. Miqësia jonë bazohet në shekuj mirëkuptimi dhe shkëmbimesh mes dy popujve tanë që kanë kaq shumë të përbashkëta. Besoj se vizita jonë në Athinë do t’i shërbejë intensifikimit konkret të bashkëpunimit ndërparlamentar i cili është i rëndësishëm për të gjithë bashkëpunimin tonë politik dhe ekonomik, dhe që ne dëshirojmë t’a avancojmë me vullnet të plotë në çdo nivel në të ardhmen”.
Gjatë qëndrimit tre ditor në kryeqytetin helen, Ilir Meta do të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Përveç homologut të tij grek, Kryetari i Kyeparlamentari Meta do të pritet edhe nga Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras, Ministri i Punëve të Jashtme Nikos Kotsias dhe Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos.
Gjithashtu gjatë qëndrimit të tij në Greqi, Meta do të takohet edhe me përfaqësues të partive kryesore politike parlamentare si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Athinë.