INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Impresionet e një gazetareje shqiptare në Dubai... dhe disa këshilla për ata që duan ta vizitojnë [FOTO]

Impresionet e një gazetareje shqiptare në Dubai... dhe disa këshilla për ata që duan ta vizitojnë [FOTO]

Publikuar më: 12:32 20-03-2017

Nga Rezarta Delisula

Nuk di se nga t’ia nis për të përshkruar Dubain, jetën, zhvillimin, zakonet e vendësve dhe shpresën e emigrantëve për të gjetur aty një jetë më të mirë, mes të cilëve së fundmi edhe shumë shqiptarë. Rruga nuk është shumë e afërt, sidomos për ata që janë aerofobikë, dy orë Tiranë-Stamboll dhe 4.5 të tjera Stamboll-Dubai. Kontrollorët e vizave mbajnë veshur rrobën e gjatë e të bardhë e në kokë shamitë me kuadrate ose të bardha që fiksohen nga një rreth i zi. Më erdhi të qesh me veten, pasi mu kujtua që dikur, kur shihnim ndonjë me veshjen tipike islamike, pra me këtë rrobën e bardhë deri në fund të këmbëve e quanim sheik, ndërkaq që në Arabi, në dukje, si i pasuri, zyrtari, punëtori i krahut… s’kanë ndryshim. Orët e mëdha të vendosura në aeroport janë “Rolex”. Dubai ndahet në tri zona të mëdha. Në atë të vjetrën, afër portit Rashid, Derira nga njëra anë e Bur Dubai në tjetrën. Në zonën e re Downtown ku ngrihet Burj Khalifa, ndërtesa më e lartë në botë, bursa e qendrat financiare dhe Dubai i së ardhmes ku është Palma e ndërtuar në det (Palm Jumeirah) e një zonë e gjerë ku ngrihen qiellgërvishtëse e vazhdohet t’i merret territor shkretëtirës për të urbanizuar qytetin turistik të Emirateve Arabe. Është koha perfekte për të shkuar në Dubai, pasi në fund të prillit rriten temperaturat në 50 gradë dhe është e pamundur lëvizja në mes të asaj vape.

Jeta dhe kodi i veshjes
Zhvillimi i bën njerëzit tolerantë në respektimin e lirisë së tjetrit e në fakt këtë hasim në Dubai, ku një femër europiane me pantallona të shkurtër ose fustan të lehtë nuk është fare pjesë e vështrimeve të etura apo paragjykuese. Çiftet ecin rrugës të kapur përdore, madje edhe ata vendës, por sjellje më intime mes një çifti nuk hasa. Vajzat nga Dubai mbajnë vetëm shami në kokë, ndërsa ato që vinin nga më thellë Arabisë veshin burga. Si europian duhet të harrosh drekimin ose darkën e zakonshme tonën me ushqim të mirë dhe verë. Alkooli është si uji në shkretëtirë. Restorantet servirnin vetëm pije joalkoolike. Në supermarket as nuk bëhet fjalë të gjesh ndonjë birrë dhe licencë për tregtim alkooli kanë vetëm disa lokale e hotele. Tarraca në katin e 43-të “Sheratonit” ishte një vend që ia vlen të kalosh një mbrëmje. Pamje mahnitëse 360 gradë e qytetit, një kokteil i mirë, rini dhe muzikë bashkëkohore. Rreth 1 kilometër më tej ishte klubi i Cavalit, ndërsa në ndërtesën më të lartë në botë është restoranti i Armanit, super luks. Ndërkaq, në “Dubai Creek Golf Club” mund të hash një darkë të shkëlqyer, shoqëruar edhe me verë sigurisht. Jeta e natës mbyllet në 3 të mëngjesit e ky është urdhër për çdo lokal, ndërsa patrulla policie janë rrugëve për të monitoruar shoferët dhe qarkullimin e automjeteve.

Ushqimi dhe çmimet
Mendoja se kishim të përbashkëta në kulinari ne dhe arabët, por në fakt them se më shumë jemi afër turqve. Ushqimi arab është i shijshëm, por me shumë erëza, jo tipike për midenë tonë. Era e zaferanos më “mbyti” e kur drekon në shtëpitë e të pasurve aq më shumë e ndjen arin e erëzave, i cili kushton mesatarisht 7 mijë euro kilogrami. Nëse qëndroni gjatë dhe ju merr malli për shijen tonë, në shëtitoren ‘Jumeira Beach’, në Dubain e së ardhmes, dallohet qartazi një restorant grek. “Haet super”, por pa uzo sigurisht. Po të drekosh ose darkosh jashtë kushton relativisht shtrenjtë 70-150 euro për dy vetë, përfshi edhe ndonjë birrë aty ku lejohet që kushton 15 euro. Por a ka alternativa? Sigurisht që ka, pasi në çdo cep sheh ‘fast-food’-e që bëjnë pite arabe me mish pule e salca të cilat kushtojnë lirë. Ujin kur futesh për të blerë në dyqane ta japin falas dhe nga produktet ushqimore, frutat janë ato që kushtojnë më tepër, pasi vijnë nga jashtë. Në Dubai ia vlen të blini shalle me përqindje të lartë Kashmiri, pasi ato të vërtetët nisin nga 1500 euro dhe të gjitha qëndismat i kanë me punë dore.

Shqiptarët në Dubai
E quaj veten me fat që udhërrëfyese në Dubai mu bë një mikeshë shqiptare, e cila jeton aty që prej 27 vitesh. Mira më tha se janë të shumtë shqiptarët që punësohen në Arabi e në fakt nuk gjen zor t’i takosh. Në shumicën e dyqaneve në “Dubai Mall” has vajza shqiptare. “Erdha në Dubai pasi në Shqipëri nuk gjeja punë dhe pavarësisht që nuk jam në profilin tim, paga që marr e justifikon qëndrimin. Ne shqiptarët paguhemi më mirë se emigrantët e tjerë, sepse na konsiderojnë evropianë”, na thotë Anxhela, e cila kishte një vit që punon në Dubai. Sipas saj, sapo të mbaronte kontratën dyvjeçare me firmën do kërkonte një punë si ekonomiste, pasi atë shkollë kish mbaruar dhe ka mundësi punësimi. Për të shkuar në Emirate, shqiptarët i paguajnë kompanisë që u siguron punë 300-500 euro. Mira dhe bashkëshorti i saj janë të parët shqiptarë që mbërritën në Dubai, e sot kanë 27 vjet që jetojnë aty. “Vendësit janë njerëz tejet pozitivë e të dashur. I ndihmojnë të gjithë ata tek të cilët kanë besim e kurrë nuk i flakin njerëzit në rrugë. Padyshim që më shumë se gjysma e jetës sime lidhet me këtë vend dhe e dua”, – na thotë Mira, e cila drejton një hotel të familjes “Alserkal” në pazarin e qytetit, paratë e së cilës shkojnë për bamirësi. Sipas statistikave, në Emirate jetojnë rreth 4.2 milionë banorë prej të cilëve vetëm 5 për qind janë vendës. Edhe Dubai ashtu si Abu Dabi është i mbushur nga të huajt që jetojnë e punojnë aty. Ndryshe nga vendet e tjera, në Emirate viza e qëndrimit është dyvjeçare me të drejtë rinovimi dhe nuk jepen leje të përhershme rezidenciale. Të gjithë të huajt duhet të kthehen në vendet e tyre kur mbushin moshën e pensionit, pasi në Emirate marrin para në dorë për vitet e punës (një-dy rroga për çdo vit pune) dhe nuk u lidhet pension i përhershëm.

Zakone pasanikësh
Në Deira në katrorin e krijuar nga rruga “Al Rasheed”, “Abu Baker”, “Hot Al Anz” dhe Rrugës 22 është një lagje e tërë me vila tre-katër katëshe, ku banojnë njerëzit më të pasur të Dubait. Jam e ftuar në familjen e Eisa Bin Naser Alserkal për të shijuar një drekë me zakone e ushqime karakteristike. Ai posedon “Alserkal Avenue”, ka përfaqësimin e “Bridgestone” në Emirate, ku mbulon 30 për qind të tregut dhe një kompani të fuqishme shitblerje pronash… Në oborrin e shtëpisë së tij janë 4 vila. Një e çiftit, një e djalit dhe dy të tjera pritjeje për burra dhe gra, veç e veç. Dera e familjes Alserkal hapet rreth orës 1 në mesditë, çdo ditë të vitit, e përveç mysafirëve, të shumtë janë ata që vijnë nga rruga bashkë me fëmijët për të ngrënë drekën falas. I zoti i shtëpisë ulet në odën e burrave, ndërsa e zonja, Shamsa, me gratë. Gjëja që më bën më shumë përshtypje është se si unë, e ftuara, si një e varfër, u ulëm në një tavolinë me të zonjën e shtëpisë. Kjo ndodh edhe tek burrat. Buka nuk përdoret në drekat e tyre, por zëvendësohet nga orizi që e gatuajnë me shumë shafran, si birian por dhe kabuni. Mishi i qengjit, pula e peshku ishin prezente në të tria drekat ku unë isha e ftuar nga kjo familje. Kafja arabe është e tmerrshme për shijen time, pikante dhe pa lidhje me atë që përdorim ne, por digestive e shkëlqyer. Zonja e shtëpisë, Shamsa, më tregon se arabët nuk e përdorin shumë mishin e lopës, preferojnë bagëtitë e imta, ndërsa për festa të mëdha, dasma e synetllëk, përdorin mish deveje. Sipas saj, është i shijshëm dhe pa kolesterol. Qumështin dhe çokollatat me qumësht deveje i provova. Mishin s’pata rast.

Çfarë duhet parë
Po shkove në Dubai e nuk hipe në katin e 154 të Bujr Kalifas, zëre sikur s’ke qenë. Mirë është që biletën ta blesh paraprakisht online, sepse kushton më lirë se sa blesh në moment. Bileta kushton nga 350 derham (paraja vendase) në 500 derham në oraret pa rënë muzgu, mesatarisht 50-70 euro. Kursi i këmbimit është 1 euro-3.9 derham. Ashensori ngjitet për disa sekonda në majë të kullës dhe kamerierë ofrojnë lëngje frutash të freskëta e ëmbëlsira. Pamja është e mrekullueshme, plus që ke bërë një nga 100 gjërat që duhet të bësh para se të vdesësh, e kjo është të hipësh në kullën më të lartë në botë. Shatërvanin para Bujr Kalifas duhet ta shijosh pasditeve, pasi uji vallëzon me muzikën në një sintoni perfekte. Shfaqja fillon rreth orës 18.00 dhe çdo 20 minuta përsëritet. Kafenetë në katin e dytë të qendrës tregtare “Dubai Mall” janë vendi ideal për ta parë. Palma e ndërtuar në det për mua ishte një kuriozitet i paparë, por në fakt ti nuk e kupton që je duke ecur mbi të. Vetëm GPS në telefon ma tregon se arrita në hotel “Atlantis” në cepin fundor të Palmës. Sigurisht ky hotel duhet vizituar, pasi është i jashtëzakonshëm. Jo shumë larg prej aty gjendet kopshti botanik i Dubait, një nga ambiciet më të paimagjinueshme të arabëve, kopsht lulesh në shkretëtirë. Ngjitur me të është kopshti i fluturave, një tjetër vend interesant dhe muzeu i shkencës. Biletat kushtojnë 40 dhe 50 derham ose 10-15 euro. Kjo zonë, thuajse shkretëtirë në 2020 do të jetë totalisht ndryshe, pasi Dubai ka fituar të drejtën e “Ekspo 2020”, që herën e fundit u zhvillu në Milano. Për të mësuar për historinë e Dubait mos lini pa parë dhe muzeun e qytetit, që ndodhet gati në fund të kanalit që futet në mes të qytetit, pranë pazarit të vjetër në rrugën “Al Faidi”. Po shkuat deri aty, vizitoni pazarin e vjetër “Old Souk” dhe me afërsisht 50 cent, 2 derham hipni në varkat taksi që ju çojnë në anën tjetër të Dubait në Deira. Sapo të zbrisni do të shihni pazarin e erëzave, që është fantastik e ka që nga lloje të ndryshme rozmarinash, te shafrani e deri te viagrat natyrale… Pak metra më tej është “Gold Souk”, pazari i floririt, qindra dyqane floriri e brilantesh, ku personalisht e arta mi mori sytë. Në këtë pazar individë do ju ofrojnë dhe ‘Armani’, ‘Fendi’, ‘Gabana’… false, që në fakt janë me cilësi shumë më të mirë se ato kineze. Të shohësh perëndimin e diellit nga dunat duket si mirazh shkretëtire, e mrekullueshme, dhe është një tjetër aktivitet që s’duhet lënë pa bërë nëse shkon në Emirate. Bileta kushton nga 50-100 euro varet nga agjencitë. Ata vijnë të marrin në hotel rreth orës 3 pasdite dhe të kthejnë sërish rreth orës 9 të darkës. Në çmim përveç shëtitjes në shkretëtirë, është e përshirë edhe darka në një çadër beduinësh. Safari është interesant, por s’do ua këshilloja njerëzve mbi të 60-at pasi përplasjet e makinës në rërë të trondisin fort. Kjo në shkuarje, sepse në kthim përdoret rruga e asfaltuar. Qyteti i dritave dhe bota në miniaturë janë dy vende të tjera ku mund të kalohet pasditja.

‘Arsekal Avenue’
Kjo qendër magazinash të mëdha të kthyera në galeri të artit modern duket si një lagje e madhe bashkëveprimi kulturor. Tomoko Hayashi është japoneze. Ajo ka sjellë në një prej galerive bizhuteri me lot njeriu. Janë fantastike me ngjyra të ndryshme. Kjo na kujton se në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë ruhen shishe të vogla që shërbenin për mbledhjen e lotëve nëpër vdekje. Pak më tej është autori Nedim Kufi nga Bagdati me serinë e verave të tij të titulluara “Absence” (Mungesë). Ai sjell foto të familjes së tij një herë të gjithë bashkë, një herë duke hequr veten si për të treguar se dramën në Lindjen e Mesme, sot je, nesër jo. Më tej një libanez i quajtur Mohamad Said Baalbaki paraqet përmes pikturave horrorin që pëson një fëmijë në luftë e sjellë kjo përmes serisë “Heap” (Grumbull). Në këtë qendër të madhe përplasjesh krijuese ka edhe galeri makinash luksoze, kinema, apo minifabrikë për prodhimin e çokollatave artizanale “Mirzam”, ku një e madhe kushton deri 350 euro. Në Arskal çdo gjë është ndryshe, që nga pamja moderne e meshkujve dhe femrave deri te detajet e lokaleve luksoze. Kjo lagje e madhe e shkëmbimeve kulturore është kthyer në vendin më atraktiv për shumë artistë e njerëz artdashës nga e gjithë bota, sepse këtu gjen gjithçka.

Kontrast
“Ke shumë të drejtë ka kontrast, nuk e gjeta ashtu siç e kisha parë në foto”, na thotë një djalë nga Shqipëria i cili punon në Dubai. Në Deira është pazari i madh dhe porti i anijeve që ngarkojnë mallra për t’i shpërndarë në qytete të tjera arabike. Punëtorët e krahut janë kryesisht indianë, të thatë e të kërrusur nga lodhja, por që për ta Dubai është një shans, sepse me paratë që fitojnë mbajnë familjet e tyre të mëdha. Sheiku i Dubait ka në projekt ndryshimin e kësaj zone përmes investimeve pikërisht për shkak të kontrastit që krijohet. Fundjava në Emirate nis të premten. Thuajse asnjë dyqan nuk është hapur deri pasdite pas faljes të së premtes. Dhe e shtuna është pushim, ndërsa java nis të dielën kur të gjithë punojnë. Dy sheikët Mohammed bin Zayed bin Sultan Al-Nahya i Abu Dabit dhe Mohammed bin Rashid Al Maktoum i Dubait i kanë premtuar popullit se Emiratet do të kthehen pas pak vitesh në qendrën më të madhe të turizmit botëror. E në atë javë qëndrimi në Dubai, pashë shkretëtirën që humbiste çdo ditë poshtë qiellgërvishtësve, pashë ambicien njerëzore për zhvillim.

*Një vështrim i shkurtër mbi jetesën, zhvillimin dhe historitë vendëse

Burimi: Gazeta Shqiptare

duba0.jpg

duba1.jpg

duba2.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0046758651733398