INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
IN BLOG - Si zgjidhet rrethi vicioz i negativitetit?

IN BLOG - Si zgjidhet rrethi vicioz i negativitetit?

Publikuar më: 12:57 28-09-2017

Nga REDI ROSHI

Në jetën tonë të përditshme kalojmë shumë situata pa u vënë re. Shumicën e kohës jemi të pavetëdijshëm për veprimet tona dhe na duken si një sjellje normale. Gjithë kohës dëgjojmë njerëz që thonë “Unë jam vetvetja” ose na del në instagram një shprehje që thotë “Duhet të jesh vetvetja se çdo njeri tjetër është i zënë!” ose i themi të tjerëve kur justifikimet nuk pinë më ujë “Kështu jam unë, po të pëlqeu mirë po s’të pëlqeu ik.”. JO! Në ditët e sotme jemi të detyruar të gjithë që të vendosim një maskë për arsye nga më të ndryshmet. Nëse ti justifikon maskën tënde gjatë gjithë kohës atëherë mund edhe ta ndryshosh atë.

Le të marrim një shembull banal: t’i hyn në një dyqan për të blerë diçka, më specifikisht një dyqan lagjeje ku pronarët e katit të parë kanë kthyer një pjesë të shtëpisë në dyqan. Shitësi të trajton sikur ia ke për borxh t’i blesh dhe produktin që ti kërkon thjesht ta hedh aty në tavolinë. Mos të flasim pastaj nëse i kërkon një qese për një produkt të vetëm se të sheh gjithë nerva. Dhe ti njeri je, të hipin nervat, lekët ja hedh në tavolinë dhe rri pret 10 lekëshin kusur vetëm për kunjë se edhe mund ta kishe lënë. Ja ku nis një rreth vicioz. Shitësi kishte hallet e veta që t’i shfryu ty, ti nga ana tjetër ishe në një gjendje neutrale dhe tani je me nervat e shitësit, që do të shkosh t’ia shfrysh dikujt tjetër pastaj.

Po sikur të ndodhemi në një situatë që nuk jemi përballë një shitësi (që në fund të fundit mund ta shmangim shumë thjeshtë duke mos i shkelur më kurrë në dyqan) por përball një përgjegjësi në një institucion shtetëror dhe na duhet ai shërbim? Personalisht jam gjetur në një situatë të tillë. Kisha një punë shumë të rëndësishme për të bërë dhe nuk ja kisha idenë fare se ku duhet të shkoja dhe çfarë duhet të bëja. Kur hyra në këtë institucion gjeta radhë, si gjithmonë në çdo institucion të mundshëm, pyeta kush ishte i fundit dhe po prisja të më vinte radha. Personi përgjegjës për informacionin ja kthente shumë shkurt personave të tjerë. Dukej që ishte shumë e bezdisur dhe i përsëriste personit që po fliste të njëjtën gjë gjithë kohës por sa herë e përsëriste ngrite zërin gjithmonë e më shumë. Kur më erdhi radha ajo po shkruante dhe nuk denjoi fare të ngrinte kokën që të më shihte kush po i fliste. “Mirëdita, si jeni? Ju kërkoj ndjesë që po ju shqetësoj por më duhet të bëj një, dy, tre veprime dhe është hera e parë që vij këtu. Ju lutem më ndihmoni dot duke më treguar ku duhet të shkoj dhe t’i kryej këto veprime? Është hera e parë që e bëj këtë punë dhe nuk dua të bëj gjë gabim. Më ndihmoni dot?” dhe pasi mbarova fjalën i buzëqesha. Ajo dukej shumë e çoroditur në fillim dhe pasi i qesha më kthehu të qeshurën. Doli se zonja e informacionit ishte shumë e sjellshme dhe kishte shumë batutë. Më shpjegoi çdo gjë dhe madje i kërkoi dhe kolegëve që të më kishin pak me merak.

Ajo që dua të them me të gjithë këtë histori është se nëse duhet të jemi fallco, të jemi pak më të edukuar fallco. Është shumë herë më e thjeshtë të jemi arrogant dhe të bëjmë të fortin. Në fund të fundit në Shqipëri frika është e barabartë me respekt dhe mirësinë dhe edukatën i marrin për dobësi. Por nëse e qeshura është ngjitëse pse mos të bëjmë një “sakrificë” dhe të përmbajmë negativitetin tonë duke mos ja dhënë kujtdo. Ka shumë pak njerëz që e bëjnë këtë gjë dhe dua t’i them këtyre njerëzve që janë të mrekullueshëm dhe jemi me shumë fat që i kemi. E di që është e vështirë por mos e humbisni kurrë mirësinë brenda vetes.

Article Logic
Execution time: 0.0036900043487549