INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
IN NEWS zbulon CV/ Inspektorët që u bënë kryetarë bashkie dhe ata që profesionet e tyre i kanë sekret

IN NEWS zbulon CV/ Inspektorët që u bënë kryetarë bashkie dhe ata që profesionet e tyre i kanë sekret

Publikuar më: 12:36 02-09-2019

Përplasjet politike bënë që vëmendja ndaj kandidatëve që do të drejtojnë bashkitë deri më 2023 të ishte minimale. Ndaj, IN TV ka bërë sot një vëzhgim mbi CV-të e kryetarëve të dalë nga votimet e 30 qershorit.

Ajo që bie ne sy është fakti se shumë prej atyre e kanë nisur karrierën në administratën shtetërore si inspektorë në drejtori të ndryshme shtetërore. Një detyrë e tillë e më pas shumë të tjera ka kryer Valbona Sako, kryetare e Bashkisë së Durrësit. Zonja Sako është arsimuar për ekonomi dhe prej 2000 deri më 2013 ka qenë inspektore Vlerësimi, Risku, Kontrolli Tatimor, Specialiste Rregjistrimi në Drejtorinë e Shërbimit ndaj Tatimpaguesit.

Deri në qershor Sako ka mbuluar funksionin e Drejtores së Drejtorisë Rajonale Tatimore Durrës.

Edhe Gledjan Llatja, kryetari i Bashkisë Elbasan ka një CV të pasur si punonjës në drejtori të ndryshme. Ai me profesion është jurist. Karrierën si jurist e ka filluar në vitin 2003 si ndihmës-inspektor në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Nga viti 2005deri në vitin 2013 nga ndihmës punësohet si Inspektor pranë KQZ-së.

Llatja për gati dy vite ka qenë Drejtor Kabineti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjatë kësaj periudhe ka qenë gjithashtu ekspert i propozuar nga PS në Reformën Zgjedhore dhe të ndryshimeve Kushtetuese.

Edhe kryetari i Bashkisë së Devollit, Eduard Duro ka mbajtur një detyrë të tillë, nga 2003–2007 tek dega e tatimeve Devoll. Më pas ka qenë Agjent Doganor pranë doganës Kapshticë.

Edhe ish-deputeti, tanimë kryetar i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu e ka nisur karrierën si inspektor i Policisë Kriminale në Lezhë e më pas drejtues i Policisë Kriminale në disa qytete.

Ajo që vihet re tek lista e kryebashkiakëve të rinj është se shumë pak prej tyre janë biznesmenë, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2015 që ishin në masë.

Mesa duket kjo ka qenë një lëvizje taktike e PS-së, për të mos rritur numrin e biznesmenëve drejtues bashkish.

Ndër të vetmit që ka deklaruar aktivitet privat është Redjan Krali i Bashkisë së Kavajës. Kryebashkiaku i Kavajës është deklaruar administrator i dy shoqërive të bizneseve. Tek CV-ja e tij në faqen e internetit të Bashkisë së Kavajës, Krali përshkruhet si biznesmen dhe administrator i suksesshëm.

Por nuk janë të pakët edhe kryetarët e bashkive që kanë fshehur CV-të e tyre. Një pjesë e madhe e tyre kanë preferuar të vendosin vetëm fotografitë e tyre, duke i lënë bosh të dhënat mbi arsimin dhe profesionet që ata kanë bërë përpara se të hynin në zyrat e bashkive. I tillë është kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i Peqinit, i Kukësit, i Mallakastrës, i Shijakut, i Gramshit dhe ai i Dibrës, Dionis Imeraj.

Article Logic
Execution time: 0.0035450458526611