Me ndeshjet e së enjtes ka ardhur në fund dhe faza në grupe në Ligën e Europës, prej nga kanë dalë 24 ekipet që do të vazhdojnë më tej. Në grupin A “Djajtë e Kuq” kaluan me vështirësi 2-0 në transfertën e ftohtë të Zryas, skuadra e Jose Mourinhos e mbyll fazën e grupeve në vendin e dytë pasi turqit e Fenerbahces fituan 1-0 në transfertën e Feynoordit.
Ansi Agolli, Burim Kukeli dhe Armando Sadiku i kanë dhënë lamtumirë ëndrrës për të vazhduar më tej në Ligën e Europës, pas humbjeve që kanë pësuar sot me skuadrat e tyre në ndeshjet e fundit në këtë turne. Karabaku i Ansi Agollit ka humbur 1-2 ndaj Fiorentines. Duhej një fitore dhe gola, por Zyrihu nuk ka arritur as njërën dhe as tjetrën në Turqi ndaj Osmanlisporit vendas duke mbyllur grupin në vendin e katërt. Në ndeshjen e fituar me shifrat 2-0 nga skuadra turke, Kukeli zbriti në fushë që nga minuta e parë, ndërsa Sadiku u aktivizua vetëm në minutën e 60.
Inter e mbylli eksperiencën falimentuese në Europa League me një fitore pa vlerë ndaj Spartës së Pragës dhe pa mbështetjen e grupimit ultras që bojkotoi sfidën në “San Siro”. Zikaltërit u imponuan 2-1 ndaj çekëve vetëm në fundin e ndeshjes në Milano.