Një mbrëmje e çmendur ditën e djeshme në kampionatin italian dhe ndoshta ishte java më e bukur e të gjithë këtij viti futbollistik.
Shumë sfida emocionuese ku luhej për kualifikimin në Champions League, por edhe për qëndrimin në Seria A.
Atalanta e Gasperinit është kualifikuar për herë të parë në historin e saj në kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik, Champions League, pasi fituan 3-1 në ndeshjen e fundit ndaj Sassuolos duke e mbyllur kampionatin në vendin e tretë. Do të ishin miqtë që do të kalonin të parët në avantazh me Berardin, por Zapata do të barazonte në minutën e 35-të. Në fundin e pjesës së parë Berardi u ndëshkua me karton të kuq, ndërkohë që këtë që e shfrytëzoi më së miri ekipi i Gasperinit që shënoi edhe dy gola të tjerë me Gomez dhe Pasalic.
Interi dhe Empoli dhurojnë një mbrëmje magjike, teksa në fund buzëqeshin zikaltrit që shkojnë në Champions dhe përloten ata të Empolit që sezonin e ardhshëm do të luajnë në Seria B. Zikaltrit fituan me shumë fat 2-1. Keita Balde zhbllokoi rezultatin në fillimin e pjesës së dytë me një super gol. Në minutën e 61-të, Mauro Icardi humbi një penallti. Empli ndërkohë luan mjaft mirë dhe shënon golin e barazimit me Traore. Gjithsesi zikaltrit do të kalonin sërish në avantazh me Nainggolan, një gol që ju jep kualifikimin për në Champions League.
Milani ndërkohë fitoi 3-2 ndaj Spal, por kjo nuk i ka mjaftuar për të zënë një vend në zonën Champions. Calhanoglu kaloi fillimisht në avantazh kuqezinjtë që në minutën e 18-të, ndërkohë që 5 miuta më pas Kessie shënoi golin e dytë. Gjithsesi Spal reagoi mjaft mirë duke shënuar me Vicarin dhe Fares. Kessie nga pika e bardhë i dha fitoren kuqezinjve.