INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Intervistë ekskluzive për intv.al/ Rita Lati: ‘Të mbajt e jotja’, motoja ime në jetë [FOTO]

Intervistë ekskluzive për intv.al/ Rita Lati: ‘Të mbajt e jotja’, motoja ime në jetë [FOTO]

Publikuar më: 11:01 05-10-2017

Një bisedë me Ritën është gjithmonë e shoqëruar me energji pozitive dhe buzëqeshje.

Ajo është Rita e madhe e skenës edhe pse e bija e thërret me përkëdheli : “e vogla”. Dje ishte ajo që e udhëhiqte varkën e vogël me emrin  ‘Roza’, ndërsa sot Roza është zonjë e fatit të saj; jeton vetëm, merr vendime të rëndësishme dhe realizon atë që do. Të gjitha produkt i një mamaje të përkushtuar. Sidoqoftë, të qënit një femër e fortë duket se është e shkruar në genin e familjes. Këtë dhe të tjera, aktorja e dashur e humorit, Rita Lati  na i rrëfen  përmes detajesh interesante në këtë bisedë të këndshme me nota vjeshte.

- Rita si u zgjove sot?

- Shumë mirë se jam nga Roza dhe kur jam nga Roza,  jam në aktivitet dua s’dua.

- …dhe si e kalon kohën kur je nga Roza?

- Nxjerr qenushët, dal pi kafe, përgatis drekën. Gjëra të bukura, siç bën mamaja çdo mëngjes. (Buzëqesh)

- Bën plane si ta vazhdosh ditën apo e le të rrjedhë?

- Në përgjithësi,  në darkë i bëj planet. Nëse kam takime,  bëj plane që të jem gati, të shoh gjëndjen time nga jashtë se nga brenda jam gjithnjë ok. Përveçse kur kam koncerte dhe më duhet të jem e varur prej tyre. Por në përgjithësi eci me plane.

- Çfarë të vesh me buzëqeshje përgjatë një dite?

- Gjithçka që më rrethon. Kur jam mirë shpirtëtisht, gjithçka e shoh mirë dhe pozitive.

- Ndikon koha në gjendjen tënde shpirtërore?

- Jo gjithmonë, mua më pëlqen  edhe shiu. Nuk e dua shumë të ftohtin, por edhe ai ka bukurinë e vet. Gëzoj kur bën ftohtë se kam mundësi më në fund të vesh edhe një garderobë që është pak e kushtëzuar, për ca veshje që janë blerë në vende shumë të ftohta.

- Me çfarë kanë të bëjnë emocionet e bukura që ke përjetuar së fundmi?

- Së fundmi, ardhja në jetë e 3 qenushave të Petis-ë, ishte emocion shumë i madh. Po ashtu koncertet që do të kem rresht në Itali dhe Greqi ku do të jem para një publiku që më mban kjo që jam, por edhe kur shoh Rozën që del në një darkë, kur ma dëgjon fjalën, kur vishet si dua unë,  jam shumë e lumtur.

- Kur kemi folur para pak vitesh, më ke thënë se sa herë të mërziste Roza të sillte trëndafila si për të të kërkuar falje. E bën ende?

- E bën akoma, është mjeshtre. Kur bën ndonjë gabim, të merr me të mirë.

yuiouo.jpg

- Po ditët kur ajo ishte me pushime në Tajlandë, si i kalove?

- E stresuar në makismum se duhet të mbaja qenushat. Falë Zotit vinte shoqja e saj çdo ditë se kudesej edhe ajo. Ishte diçka që s’e kisha përjetuar se sikur nuk fikeshin. Tingëllon çuditshëm, por ishte si të kisha 3 bebat e mi, jo sikur të ishin 3 qenushë. Më dukej ndonjëherë budallallëk që shqetësohesha kaq shumë. Kam qenë në dispozicion të tyre gjithë kohës ndërsa Sasha ishte në hotel. M’u duk sikur isha bërë mama prapë. Unë ashtu e përjetova. (Buzëqesh)  Nga ana tjetër, u kënaqa shumë që Roza realizoi një dëshirë. Kishte kohë që e kishte planifikuar ikjen në Tajlandë dhe ajo e realizon atë që do. Por meraku i nënës është gjithmonë sepse ishte larg. Kam qenë vetë në Australi dhe thoja me vete: “Ç’bëra”. Kam qenë disi në ankth se këto udhëtimet e largëta i kam pak frikë,  por isha deri diku e qetë se ishte me vajzën e motrës.

- Të gjitha nënat kanë ëndrra për fëmijët e tyre. Shqetësohesh për të ardhmen e Rozës?

- Shqetësohem si çdo nënë. Unë po shqetësohem edhe për këta të vegjëlit (qenushët). Nënat kanë gjithmonë merak. Nuk do të ketë ndonjëherë qetësi për nënën. Edhe kur ta shoh të realizuar me familjen e saj, do të jetë ai meraku. Kështu ka qenë edhe mamaja ime me mua dhe mua s’do të më hiqet meraku po aq sa ç’iu hoq nënës sime.

- A mund të themi se ke qenë një mamaxhere e mirë në jetën e saj profesionale?

- Të them të vërtetën nuk është se më ka dëgjuar shumë në këtë pikë. Ka një pavarësi të lindur. Edhe unë kështu kam qenë ndaj “bëmë mama të të ngjaj” i thonë kësaj. (Buzëqesh). Kur e shoh që realizon edhe ato që unë s’kam dashur t’i bëjë, them: “ Le të eci, të çajë vetë”. Roza më dëgjon ,por bën atë që do. Deri 18 vjec ka bërë çfarë kam dashur unë. Më vonë i ka zgjidhur gjërat siç ka dashur dhe nuk kam të drejtë të ndërhyj. Më dëgjon, më respekton, por jo, në fund bën çfarë do.

- Cilësia që duhet të ketë dhëndri i ardhshëm?

- Po e deshi shumë Roza, edhe po s’më pëlqeu, do bëj sikur e dua, aktore jam. Dhe kur të dalin ata jashtë, unë do flas me vete brenda e do them: “O Zooot”. (Qesh)  Po më pëlqeu pastaj, fat është dhe do e doja si djalë.

- Çfarë vëren me keqardhje se i mungon brezit të sotëm?

- S’kam keqardhje fare sepse e jetojnë jetën si të duan. Kanë  lirinë, pavarësinë, mendimin e lirë, vishen si të duan. Unë kam shkuar konvikteve që 24 vjeçe. Të dilnim të blinim një cokollatë duhet të merrnin leje. S’e kemi shijuar lirinë. Kur jep liri shumë ka edhe gabime, por secili i gjykon dhe vlerëson vetë. Tani jeni maxhorene, ju e dini ç’është e mira dhe ç’është e keqja. Përgjigjeni vetë para veprimeve tuaja. Nuk ju gënjen dot njeri. Ndikon shumë edhe shoqëria dhe është fat nëse fëmija lidhet me shoqëri të mirë. Ka familje të mrekullueshme që iu kanë degjeneruar fëmijët dhe këtu nuk mund t’i vë faj familjes. Kjo është një pikëpyetje e madhe për mua.

- Cila është shpatulla ku mbështetet gjithmonë Rita?

- Unë mbështetem vetëm tek Rita, tek forca ime. Jeta na ka përballur me çdo gjë, na ka bërë shumë nëna të forta. S’kam pritur nga askush, çdo gjë e kam realizuar vetë në këtë jetë. Jemi labe dhe e kemi një çikë atë krenarinë e tepruar dhe luftojmë në këtë jetë vetë. Kur kam dashur të mbështetem diku, vetëm më ka prishur punë ndaj vetëm tek vetja.

tyuiyu.jpg

- Çfarë i thua vetes kur gjërat nisin të ndërlikohen?

- Asgjë, thjesht qetësoj veten. Edhe pse mund të dalë keq, e mendoj si të mirë. E ushqej veten me pozitivitet, një lloj ilaçi i vetes sime është mendimi se nesër do bëhet më mirë. S’bëhet ndryshe, në punën tonë për shembull nuk përballesh dot ndryshe me tregun e ashpër.  Ka ndodhur që më kanë humbur koncerte për një fjalë dhe kam thënë “Ok, do të vijë data tjetër”. E kam marrë vesh edhe kush më ka prishur punë dhe prapë kam thënë: “Ok”.

- Luksi yt më i madh?

- Roza është gjithçka në jetën time. Jeta ime vërtitet rreth saj. Pasuria ime e madhe është ajo.

tu76t8u.jpg

 

- Motoja që të ka udhëhequr gjithmonë?

- “Ji e fortë në çdo gjë”. E fortë në të lira,  në të shtrenjta,  në të keqe,  në të mirë. Fakti i të qënit artist, të përball me shumë gjëra.

- Kur dhe si e mbyll ditën Rita Lati?

- Varet nga gjendja por në përgjithësi kur jam mirë dhe i kam gjërat ok, pi një gotë verë. E shijoj edhe të jem vetëm, edhe të jem me njerëzit e dashur. Kur jam keq, çdo gjë shtë gri, nuk ma zbukuron asgjë mbylljen e darkës, do më rrijë truri atje. Por në përgjithësi, i kam të qeta. (Buzëqesh)

Bisedoi: Mia Buci 

Article Logic
Execution time: 0.0042068958282471