INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Intervistë për intv.al Roza Lati: Ja pse më duan më shumë femrat… [FOTO]

Intervistë për intv.al Roza Lati: Ja pse më duan më shumë femrat… [FOTO]

Publikuar më: 14:37 27-04-2017

 Ndarja nga gjumi i mëngjesit është pjesa më e vështirë e një 24 orëshi, por jo për Roza Latin dhe ata që e ndjekin. Mëngjeset janë më energjike me "Hangover" dhe kjo falë nivelit të adrenalinës që përcjell vetë  moderatorja e emisionit. Këtë herë e shkëputëm Rozën për disa minuta në një  bisedë ndryshe nga të tjerat. Edhe pse shpesh pjesë e lajmeve të showbizzit, tashmë  rrallëherë e shihni nëpër intervsita, por ajo pranoi me kënaqësi të na zbulonte diçka më shumë rreth vetes, jetës, punës, parimeve e synimeve në jetë,  duke mos harruar as dashurinë... U bëtë kuriozë? Përgatituni ta shihni Rozën ndryshe....

 

- Roza, u bënë kohë që zgjohesh herët mëngjeseve tani... Çfarë kishte të bukur zgjimi apo nisja e ditës sot?

- Zgjimi sot nuk kishte asgjë të bukur, madje do të thoja që zgjimi sot ishte i dhimbshëm. Mbrëmë kam ndenjur zgjuar natën dhe mezi jam zgjuar sot. Në dimër mendoja se kur të ngrohet koha dhe të zgjatet dita, mund të zgjohem më herët dhe më lehtë në mëngjes, por jo. Është e kundërta. Duke u ngrohur koha, duke ardhur pranvera, unë thjesht e kam më të vështirë zgjimin në mëngjes.

-  Zakonisht je shumë energjike, por kur nuk je në humor, çfarë bën për të qenë e tillë?

-  Nëse ndodh që nuk jam në humor, thjesht rri me qenushët e mi, izolohem me kafshët e mia, domethënë nuk jam në kontakt me njerëzit. Thjesht organizohem me qenushët e mi, ikim diku, natyrë, xhungël, jashtë rrugës, jashtë njerëzve. Ose jam mbi krevat duke parë Netflix, prapë me qenushët e mi të cilët janë të shtrirë afër meje dhe unë që thjesht i përkëdhel dhe shoh Netflix… edhe ha akullore…edhe ha pica.

- E nis mëngjesin me "Hangover", po më pas si vazhdon dita?

- E bukura e të bërit një emision mëngjesi, është fakti që shumë herët në mëngjes ti mbaron punën dhe e ke ditën përpara. Pasi mbaroj punën, shkoj menjëherë në shtëpi, marr qenushat i nxjerr shëtitje dhe më pas filloj me takimet e punës, takimet me miqtë e mi, me organizime të tjera. Gjithashtu kam takime me shoqtatat për kafshët, me shoqatat për jetimët apo takime me shoqatat ambientaliste kundër ndotjes në Tiranë. Domethënë njerëzit e dinë pak a shumë që unë jam një vullnetare e tmerrshme në këto gjëra dhe kam filluar të tërheq afër meje njerëz që kanë filluar të merren me të tilla gjëra. Me kënaqësinë më të madhe jam implikuar në të tilla angazhime. Ku ka më mirë se sa të ndihmosh dhe të bësh mirë për mjedisin tënd dhe për ambientin që të rrethon. Përpos këtyre, jam pastaj me organizime dhe projekte të tjera të veçanta të miat që kam në plan për të bërë, normalisht me fotot, diçka që unë nuk e lë kurrë pas dore.  Edheee, po…nuk harrroj ndonjëherë edhe të ha, kujtohem ndonjëherë të ha. Gjithashtu shkoj edhe tek lokali im i preferuar ku duhet të shkoj patjetër sepse jam një ndër pjesëtaret e atij lokali, si dheee kujtohem ndonjëherë të bëj palestër.

-  Emri yt është lakuar shpesh së fundmi lidhur me rastin famëkeq të dyqanit të kafshëve në rrugën  "Myslym Shyri" dhe për këtë të përgëzoj… Çfarë do të ndodhë më tej?

-  Unë thjesht ngrita zërin që njerëzit të ishin në dijeni për këtë situatë dhe për dyqanin e kafshëve . Po i vë njerëzit në dijeni, gjithashtu edhe organet përkatëse që të lëvizin gurët dhe të marrin masa për këtë dyqan kafshësh i cili është një skandal i vërtetë, një burim infeksioni për të gjitha kafshët e rrugëve. Aty ka sëmundje si "distemper" që është vdekjeprurëse për kafshët dhe kjo lë të kuptosh që ata këto sëmundje i shpërndajnë edhe jashtë. Një e keqë tjetër e atij dyqani kafshësh është edhe se kur ngordhin qenushat e vegjël, ata i hedhin në kosh të plehrave, aty ku i hedhin të gjithë banorët e Tiranës plehrat. Të hedhësh në kosh një qenush me baktere vdekjeprurëse, infekton  komplet zonën e plehrave e kësisoj edhe qentë e rrugëve që shkojnë te këto plehra. E vërteta është që vitet e fundit, qentë e rrugëve në Tiranë kanë filluar të kenë sëmundje të cilat nuk i kishin më përpara. Me shumë bindje e them, duke u bazuar edhe në komentet e veterinerëve, ato sëmundje po shpërndaheshin nga ai dyqan kafshësh.

- E ndjen konkurrencën mes moderatoreve femra të moshës tënde?

- Nuk ndiej konkurencë me asnjë sepse secila nga ne vajzat e showbiz-it është e veçantë në mënyrën e vet. Të paktën mesa kam vënë re, në një mënyrë të heshtur, asnjëra prej tyre nuk do të jetë e njëjtë me tjetrën ndaj dhe secila po mban stilin unik të saj dhe më vjen shumë mirë për këtë.

- E ke menduar ndonjëherë si do të ishte jeta e Rozës po të mos ishe vajza e Ritës?

- Po të mos isha vajza e Ritës…Hmmm. Dua ta lidh këtë me një fjali që më ka thënë njëherë një djalë kur më pyeti një ditë: “Si është të jetosh me një diva, me një artiste në shtëpi. Po e mendoja dhe i thashë se për mua është shumë normale të jetosh me divën. Ajo është diva për ju, për mua është mami që vjen në shtëpi, që gatuan, që mërzitet pse i kam lënë atletet keq, pse nuk kam rregulluar dhomën. Nga ana tjetër, nëse flasim për profesionin tim, si do ishte jeta ime nëse unë nuk do të isha vajza e Ritës, mendoj do të ishte po e njëjta. Mami ka qenë guri im me fat vetëm herën e parë kur unë jam futur në televizion, tek UTV Neës me emisionin tim dhe mami ishte ajo që më çoi në zyrë ku unë u ula dhe fola me njerëzit përkatës për të filluar emisionin tim të parë. Pastaj për çdo gjë tjetër, ia kam dalë vetë. Për çdo gjë tjetër  është meritë e imja.

-  Duke hequr famën, fansat, dukjen, atë që të tjerët shohin nga jashtë, cila është gjëja më e bukur rreth Rozës?

-  Mendoj se arma ime më e fortë është thjeshtësia. Modestia, thjeshtësia dhe mirënjohja  që kam. Jam shumë njeri mirënjohës , shumë me këmbë në tokë. Unë nuk bëj jetën e VIP-ave, nuk ma ndjen fare të bëj jetën e vipave. Unë kam atë cilësinë time, atë modestinë time që nuk e vras shumë mendjen dhe nuk më intereson shumë për opinionin apo çfarë mendojnë të tjerët.

-  Çfarë të kalon në mendje kur je në shtëpi vetëm me veten tënde?

-  Hmm… Saktë, bukur: Çfarë duhet të bëj nesër që t’ia kaloj më bukur se sot?  Sot dita ishte shumë mirë, ok, por nesër çfarë mund të bëj diçka më ekstra, diçka më interesante?

-  Kur dita merr kuptim për ty?

-  Kur më vlerësohet puna që bëj, kur më vlerësohet mundi që unë jap në diçka. Në rasti konkret është kur shpërblehem në vlerë monetare. Momenti kur marr lekët apo arrij rezultatet e dëshiruara në çfarëdolloj iniciative që marr, e bën ditën interesante dhe me kuptim për mua.

-  Çfarë është ushqim për shpirtin tënd?

-  Mendoj se ushqimi më i mirë për shpirtin është muzika edhe e them e do ta them me bindje të plotë këtë. 

- Priresh nga perfeksioni në gjërat që bën?

- Po. Jam shumë e “sëmurë” që gjërat që bëj, o t’i bëj më së miri ose nuk i marr fare përsipër. Jam shumë e fiksuar në këtë pjesë dhe siç e thotë edhe mami im, këtë detaj e kam nga im atë. "Je yt atë kokë e këmbë" thotë Rita dhe kjo është e vërtetë. Unë nuk e marr përsipër ta bëj diçka nëse nuk kam arritur rezultatet pozitive pa e nisur akoma. Kam një vullnet shumë të fortë për gjërat që marr përsipër dhe i arrij me çdo qëllim duke i bërë më së miri.

- Mendon se je në profesionin e duhur apo këtë do ta zbulosh gjatë rrugës?

- Mendoj se është gjëja e duhur që po bëj dhe një tjetër armë e imja është komunikimi. Unë komunikoj shumë dhe arritja ime më e madhë është që të bëj para me këtë armë timen.

- Cili është target-grupi që synon në audiencën tënde?

-  Nuk kam ndonjë target grup të caktuar. Unë dua të më ndjekë kushdo që ka dëshirë të më ndjekë, kushdo që vlerëson tek unë ato pikat kyçe të miat dhe më përkrah mua dhe personazhin tim në media dhe shoëbiz. Di që kam simpatinë e shumë femrave dhe për mua kjo është një arritje e madhe. Duke qenë se ne femrat e kemi xhelozinë instiktive për njëra –tjetrën, fakti që mua më duan jashtë mase shumë gocat, madje më shumë se çunat, më bën të ndihem mirë. Dhe këtu nuk po flas vetëm për ato vajzat e vogla 12 vjeçare që simpatizojnë personazhet e shoëbizzit që shohim rëndom, po flas edhe për vajza të rritura. Më ka bërë përshtypje njëherë, dy vajza me makinë të shtrenjtë, të bukur dhe ato vetë super kinge, ndalojnë në mes të rrugës dhe më thonë: "O Roza, o yll bote. Sa qejf të kemi se je e papame. Të duam të gjitha ne gocat." Kjo për mua është duartrokitja më e madhe, e quaj arritje të kem simpatinë e femrave. Nuk kam një target - grup të caktuar. Kushdo që pëlqen punën time, është më se i mirëpritur.

- Beson fort në dashuri?

- Besoj në dashuri aq sa besoj në përralla.

- Si e mendon babain e fëmijëve të tu?

- Babai  fëmijëve të mi, në radhë të parë do të jetë i huaj dhe këtë e them me bindje e nuk ma heq nga mendja askush. Nuk e di pse, por e di që do të jetë i huaj. Përveçse i huaj, duhet të jetë një njeri i qetë duke qenë se unë jam pak natyrë dinamike, mendoj se një person i qetë dhe i shtruar mundet “të hajë bukë me mua” gjatë. Nuk duhet të ketë lidhje me artin. Nuk kam qejf të merrem me meshkuj që mund të kenë të njëjtin profesion si unë, mendoj duhet të jetë komplet e kundërta ime. Duhet të jetë një njeri që pëlqen femrën e pavarur, që është e zonja e vetes dhe unë jam shumë me teorinë: Vlerat e një mashkulli duken në llojin e femrës që ka në krahë. Ndaj mashkulli që do të më ketë mua në krahë, do të jetë njeri me shumë vlera.

-…dhe nëse nesër do kishe një djalë, çfarë do të kujdeseshe t'i ushqeje si mësim për jetën?

- Djali që do të kem unë në të ardhmen, do të jetë princi i botës dhe këtë e them me bindje sepse mendoj aftësitë e mëmësisë që mund të ketë një femër i tregon shumë mirë duke u kujdesur me krijesa të pamundura për t'u kujdesur për veten dhe në rastin konkret, me kafshët. Unë jam e paparë për të rritur kafshët, për t’i disiplinuar kafshët dhe për t’i bërë të tilla që të gjithë njerëzit të flasin kudo për kafshët e mia. Ndaj jam e bindur që edhe djali që do të kem në në ardhmen, do të jetë një princ i vërtetë. Por jam e bindur edhe që do të jem ajo “nëna e keqe”, disiplinuesja. Nëse babai do të jetë ai i buti, unë do të jem ajo e rreptja sepse jam shumë disiplinuese si natyrë. Mësimi më i mirë që do t’i jap, do të jetë që të dojë ambientin ku jeton, të dojë njerëzit që e rrethojnë, të kujdeset për njerëzit dhe për ambientin dhe të shijojë çdo të mirë nga kjo jetë . Këto janë gjërat bazike, pastaj avazh- avash. (Qesh)

- Kur je ndjerë më e bukur se kurrë?

- Sa herë vesh takat, sa herë kam buzët e kuqe, ndihem gjithmonë më e bukur se kurrë baby. (Buzëqesh)

- Një aventurë që të mungon nga mosha 20 vjeç?

- Mendoj se më shumë aventura kam bërë pas moshës 20 vjeç, por një aventurë që më mungon është një udhëtim i çmendur me kushërirën  time ,Visanën, që jeton në Francë. Ajo është “my ride or die love”, më kupton? Unë gjithmonë organizohem me atë dhe zhdukem për një javë. Marrim me vete një çantë shumë të vogël, një shishe "Jagermeister" dhe lëshohemi për udhëtime pa plan (Qesh) Kjo është gjëja më e bukur, kur ikim pa plan. Edhe këtë verë kemi menduar të ikim diku me Visanën dhe mezi po pres.

- Premtimi që i ke bërë vetes dhe që nuk do ta thoje për asnjë arsye?

- Të respektoj veten dhe të mos lejoj njeri të më ulë kokën poshtë. Ky është premtimi që i kam bërë vetes dhe jam fanatike e madhe në këtë pikë.

- E ke deklaruar tashmë se marrëdhënia me mamin është shumë e ngushtë, por a ruan diçka që nuk ia ke thënë akoma mamit dhe mendon t'ia thuash tani?

- Marrëdhënia me Ritën time është e shenjtë dhe ajo i di të gjitha. Ajo është këshilluesja ime më e mirë, shoqja ime e ngushtë.

- Bëji vetes një pyetje që nuk ta kanë bërë asnjëherë, përfshirë edhe përgjigjen brenda…

- Si ka mundësi që je kaq e përkushtuar në çdo gjë që bën? Dhe përgjigjia ime është se më gënjën mendja se kjo botë është e bukur dhe pa gënjeshtra. Është si ajo bota nëpër filmat vizatimorë, prandaj edhe përkushtohem verbërisht në gjithçka që bëj.

- Ku do të jesh menjëherë pas kësaj interviste?

- Në shtëpi duke ngrënë ushqim meksikan, duke parë Netflix edhee… Kaq, nuk po e them pjesën tjetër. E lëmë me kaq… (Qesh)

- Si do ta mbyllje këtë intervistë?

- Këtë intervistë do ta mbyllja duke ju falenderuar shumë për pyetjet që ishin shumë interesante, pyetje që nuk m’i kishin bërë më parë. Për disa prej tyre, për herë të parë mora në konsideratë të përgjigjesha. Faleminderit shumë që më përzgjodhët. Ju puth fort.

Mia Buci

 

rtrtytrytr6y.png

 

roza22.png

 

Article Logic
Execution time: 0.0044188499450684