1.2 miliardë euro investime.
Kjo është shifra që prezantoi mbrëmjen e djeshme drejtuesi i Hellenic Business Association of Albania, e njohur ndryshe si Shoqata Greke e Biznesit në Shqipëri, zoti Periklis Drougkas. Në prani edhe të Ambasadores së Greqisë në Shqipëri, zonjës Eleni Sourani, drejtuesi i kësaj shoqate, zoti Drougkas, u shpreh mirënjohës dhe optimist ndaj investimeve në vendin tonë.
I pyetur rreth planit për vitin 2017-të ai tha për IN Tv se bizneset greke në Shqipëri janë ndër të parat investime në vend dhe se pavarësisht krizës gjatë periudhës 2007-2015, ato kanë dyfishuar kapitalin e investuar në Shqipëri. Kështu që parashikohet e njëjta gjë edhe për vitin 2017-të. Me nota të njëjta optimizmi ai shpreh edhe rreth vendeve të reja të punës që do të krijojnë këto investime duke siguruar se do të hapen shumë të tilla.
Si për ta mbyllur këtë takim në një mënyrë tradicionale greke, drejtuesi i shoqatës së bashku me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ndanë kekun me monedhë brenda të Vitit të Ri, duke i dhënë kështu dy prej anëtarëve më me fat të shoqatës nga një dhuratë simbolike!