De Biasi nuk e ka mohuar se legjenda e Milanit mund të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare.
Radiomercato flet për Pippo Inzaghin si trajner të ardhshëm të Shqipërisë, në vend të Gianni De Biasit, të sapo larguar.
Ky i fundit, në një prononcim për "Radio Anch'io Sport" në Rai Radio 1, nuk mund ta konfirmojë, por lë të nënkuptohet se ka diçka të vërtetë aty, raporton Tuttosport, transmeton Gazeta Express.
“Në të vërtetë ekziston një listë e ngushtë prej tre a katër emrash. Janë italianë ose me prejardhje italiane dhe një emër në pole position ekziston, por nuk mund ta them. Kandidati që po e kërkojnë është një trajner jo shumë i ri, me paksa përvojë, e me kaq ju tregova boll...”, tha De Biasi/
Ai pyetet pastaj për arsyet e largimit të tij. “Si në të gjitha gjërat e jetës, ka një fillim dhe një fund: unë kisha përshtypjen se ishte momenti për ta mbyllur aty, pas një përvoje bukur të gjatë prej pesë vitesh e gjysmë".
"Sa i përket të ardhmes sime, nuk kisha oferta të hapura deri dje, kur më erdhi papritur nga jashtë, nga goxha larg. Të enjten do të kem një takim”, shtoi ish trajneri i Shqipërisë.