Nuk është dashur shumë kohë që Jeremy Meeks të kthehej përpara kamerave.
Ish i burgosuri tërheqës, ka nisur zyrtarisht karrierën prej modeli pasi ka firmosur me agjencinë e modelingut, White Cross dhe fotot e shkrepura së fundi e vërtetojnë. Pasi bëri xhiron e internetit me variantin zyrtar të fotos së bërë në polici, në 2014-ën, Meeks tërhoqi menjëherë vëmendjen e femrave në të gjithë botën që gëlonin me komente si “ai është shumë i mirë për të qenë kriminel” dhe “martohu me mua”. Ai ishte burgosur për posedim armësh pa leje dhe ishte ndaluar për dy vjet.
Pas daljes nga burgu, Meeks postoi në Instagram një foto me menaxherin e tij Jim Jordan, i cili mesa duket kishte nënshkruar kontratën me White Cross që kur klienti i tij ndodhej pas hekurave. Përbri fotos shkruante: “Dua të falenderoj familjen dhe të gjithë ju për suportin dhe dashurinë. Jam i lumtur dhe shumë mirënjohës për cfarë më pret përpara. Jam gati!”. Agjencia ka thënë se po punon gjithashtu për t’i siguruar Meeks, edhe reality show-n e tij.