Shkrimtari i famshëm shqiptar Ismail Kadare ka folur për letrën që ai i drejtonte diktatorit Enver Hoxha, pasi kishte mësuar se motra e tij hetohej nga Sigurimi i Shtetit.
Kadare ka thënë se kjo letër, e publikuar në mënyrë misterioze në media disa ditë më parë, është e vetmja që ai i ka dërguar Enver Hoxhës.
I ftuar në emisionin “Studio e Hapur”, Kadare tha se letra ka dalë në mënyrë të jashtëligjshme nga një person që nuk dihet ende se kush është.
Sa i përket debatit me Fatos Lubonjën, Kadare tha se nuk e ka kuptuar se për çfarë arsye ai e sulmon.
Më tej ai thotë se nuk e njeh, por ka njohur babain e tij, ndërsa sa i përket Fatos Lubonjës ai i cilëson atë si një shkrimtar të rëndomtë dhe pa peshë.
Rrëfimi i Kadaresë:
Kjo është e vetmja letër që unë në 40 vjet i kam bërë Enver Hoxhës. Nuk ka letër tjetër që unë i kam shkruar liderit diktator Enver Hoxhës.
Letra është e shkruar me dorën time, pasi më vunë kusht që ta shkruaj me dorë. Letrën e shkruajta dhe e pashë këto ditë kur u botua në shtypin shqiptar.
Unë i kam bërë një letër për shkak të motrës time. Sepse jam thirrur nga Komiteti Qëndror për t’u njoftuar se motra ime ka vite që hetohet nga Sigurimi i Shtetit. Dhe unë duhet ta dija këtë gjë dhe të isha i ndërgjegjshëm për këtë gjë.
Ky është turpi i vendit tonë. Njeriu që e ka nxjerrë nuk e di çfarë është. Kjo është enigma që vazhdon sot. Si e ka nxjerrë ky njeri. Ky e ka nxjerrë këtë letër në mënyra të dënueshme nga njerëz që kanë shkelur ligjet e shtetit. Nuk nxirren kollaj. Unë me këtë letër s’kam patur të drejtë të bëja kopje për veten time. Kjo letër ka dalë direkt nga sekretet e komunizmit.
Kjo letër mua më bën nder, kjo tregon që një njeri nga familja ime hetohej nga Sigurimi i Shtetit.
Unë shkrimtar i njohur. Mos ma merrni për mburje, më i njohuri shkrimtar shqiptar brenda dhe jashtë vendit, vetëm sa kam vënë në dijeni dhe kërkoj duke kërkuar, nuk ngre ndonjë britmë në qiell, thjeshtë them që ju duhet ta dini se po bëhet ky hetim."