INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Itali, 4 të vrarë në një atentat mafioz

Itali, 4 të vrarë në një atentat mafioz

Publikuar më: 09:03 10-08-2017

Një atentat i tipit mafioz, që u ka marrë jetën 4 personave, ka tronditur këtë të mërkurë Italinë. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Foxhias, në rajonin e Garganos, me autoritetet që dyshojnë se bëhet fjalë për një hakmarrje mes dy familjesh mafioze.

Ngjarja ka ndodhur në një rrugë provinciale në lokalitetin San Marko in Lamis, ku një automjet me dy persona në bord, pasi ka arritur një tjetër mjet ku udhëtonin dy persona të tjerë ka hapur zjarr me kallshnikov duke i ekzekutuar ata.

Sipas mediave italiane, që citojnë burime të afërta me hetuesit, në makinën që ra pre e atentatit po udhëtonin Mario Luciano Romito, kryetar i klanit me të njëjtin emër dhe kunati i tij, që shërbente si shofer.

Ndërkohë, autorët e krimit, të cilët nuk janë identifikuar ende, hetuesit dyshojnë se i përkasin familjes rivale Li Bergolis, që dyshohet të jetë hakmarrë për një hesap të vjetër.

Por pasi kanë vrarë dy shënjestrat e tyre, autorët e krimit janë vënë në ndjekje të dy personave që udhëtonin me një kamionçinë, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen, por kishin qëlluar në momentin e gabuar në vendin e gabuar.

Për të mos lënë dëshmitarë, agresorët i kanë ndjekur dhe kanë hapur zjarr edhe ndaj kamionçinës, duke vrarë një nga personat që ndodhej në bord.

Tjetri, në përpjekje për të shpëtuar ka braktisur mjetin dhe është larguar me vrap, por është arritur nga autorët e krimit dhe është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Zanafilla e luftës mes dy familjeve, dikur aleate, daton sipas mediave italiane në vitin 2009, kur bosi Mario Luciano Romito, i ekzekutuar sot, u kaloi autoriteteve informacione mbi familjen Li Bergolis, duke bërë që eksponentët kryesorë të saj të dënoheshin në një proces të madh gjyqësor kundër mafias lokale.

Që prej atëherë, Romito i kishte shpërtuar një seri atentatesh, por sot duket se i ka mbaruar fati.

Article Logic
Execution time: 0.0041670799255371