Moti i keq me shi dhe erëra të fuqishme kanë përfshirë një pjesë të mirë të Europës.
Në Shqipëri mjaftuan ërish pak minuta shi për të shkaktuar përmbytje në Durrës.
Në qytetin bregdetar janë përmbytur edhe pjesërisht trotuare në kryqëzimet e lagjeve të ndryshme .Moti i keq që ka përfshirë dy brigjet e Adriatikut ka shkaktuar probleme në portin më të madh të vendit, duke pezulluar veprimtarinë përpunuese dhe lundruese të tij. Por jo vetëm në Durrës.
Reshjet e dendura dëmtuan vitrina dyqanesh pranë stacionit të autobusave në Vlorë si dhe pemët kryesisht në zonën e skelës.
Shteti fqinj Italia po përballet me reshje përmbytje dhe erëra të fuqishme që arrijnë deri në 190 km në orë.
Të paktën 10 persona kanë humbur jetën gjatë këtyre dy ditëve ndërsa shkollat në shumë qytetet kanë qëndruar të mbyllura. Rreth 5800 zjarrfikës janë të angazhuar për t’u përballur me emergjencën.
Ata po bëjnë ndërhyrje në zonat e përmbytura, në vendet ku ka patur rrëshqitje dheu, e po ashtu po heqin edhe pemët e rëna, sidomos në Liguria, Toscana, Lazio e Veneto.
Ndërkohë mbi 20 mijë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike. Moti i keq ka shkaktuar po ashtu vonesa në linjat hekurudhore e në lëvizjen e trageteve në porte.Në Venecia uji ka arritur nivelin rekord 160 cm e mbi 70 % e rrugëve të qytetit vazhdojnë të jenë të përmbytura.
Ndërkohë, Drejtoria e Mbrojtjes Civile informon se alarmi i motit të keq do të vazhdojë dhe për 24 orët e ardhshme.
Ndërsa Italia është paralizuar nga rrebeshet dhe erërat e forta, Franca duket se po vuan agresivitetin e motit të shoqëruar me reshje dëbore, teksa qytete dhe fshatra në jug dhe zonat qendrore të vendit vuajnë mungesën e energjisë elektrike dhe rrugët janë bllokuar.
Raportohet se 200,000 familje janë pa energji ndërsa sipas parashikimeve moti I keq do të vijojë gjatë të gjithë javës.