Portieri i kombëtares, Thomas Strakosha po kalon një formë të shkëlqyer tek ekipi i Lazio-s por jo vetëm. Ai ka bërë një paraqitje mjaft të mirë edhe në kombëtaren tonë në ndeshjen përballë Norvegjisë. 23-vjeçari ka marrë vlerësime pozitive nga mediat italiane, të cilat i kanë nxjerrë disa të dhëna që tregojnë sezonin e mrekullueshëm të portierit.
Strakosha është futbollisti me më shumë minuta në Seria A, duke u pozicionuar në vendin e parë i ndjekur nga Allison që mban vendin e dytë. Portieri i kombëtares ka luajtur 2610 minuta në fushën e blertë, duke mos humbur asnjë ndeshje në kampionat. Ai është lënë pushim vetëm në dy ndeshje në Europa League pasi kualifikimi ishte i siguruar.
Sipas mediave italiane ekipi i Lazio ka 12 pikë më shumë në klasifikim falë pritjeve vedimtare të Strakoshës. Portieri është bërë i pazëvendësueshëm në ekip dhe nëse vazhdon me këtë formë, klubi bardheklatër do ta ketë shumë të vështirë që ta mbajë, pasi shumë ekipe të mëdha do të kërkojnë shërbimet e tij.