INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Italianët reportazh në kufi me Kapshticën! Refugjatët sa afër dhe larg Shqipërisë janë...

Italianët reportazh në kufi me Kapshticën! Refugjatët sa afër dhe larg Shqipërisë janë...

Publikuar më: 12:50 01-03-2016

Gazetari italian i “La Stampa”, Nikolo Zancan ka parë nga afër refugjatë në kufi me Kapshticën. Ai në reportazh lë të kuptohet qartë se në çdo moment ata mund të kalojnë kufirin dhe të hyjnë në Shqipëri dhe se vetë trafikantët po përgatiten për biznesin e ri, ndaj edhe gazetari parashikon se “shpërthimi” në kufij do të jetë i afërt.

Ja reportazhi i Zancan:

Shiu bie pa pushim në malet e ashpra të Shqipërisë, këtij kufiri të ri të Europës. Thuhet se 55 refugjatët e parë qëndrojnë të fshehur në 40 kilometra distancë, gati të hapin një rrugë të re.
“Jemi në gatishmëri, i presim”, thotë Mariel Temo i zyrës doganore. Prej 14 vjetësh ai merret me kontrollin e mallrave në doganë, të kamionëve, që vijnë nga Stambolli përmes Selanikut në Greqi e ndjekin rrugën e Tiranës, të ngarkuar me gjithçka mund të përmbajë tregu.
Por tashmë këtu, në këtë cep të largët të Ballkanit, të gjithë presin të shfaqn burra, gra e fëmijë nga ana tjetër e kufirit. Të njëjtët, që Italia i pret të shfaqen në brigjet pulieze, jo pa shqetësim. Skenari është tashmë konkret në pikën që policia shqiptare në ditët e kaluara, ka sekuestruar 12 gomone gati për përdorim. “Pasi, si thotë një zyrtar i antikrimit në Vlorë, – trafikantët e drogës po pajisen për t’iu përshtatur biznesit të ri”.
Ndoshta do të ndodhë vërtet, ky lloj rikthimi në histori. Shqipëria, Italia. Deti është në mes dhe shpresa për të bashkuar dy tokat. Ende askush nuk mund të thojë me saktësi se kur do ndodhë. Dje, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi: “Nuk do ngremë mure, por as mund t’i presim të gjithë”.

Kryeministri, Edi Rama i ka dhënë një mesazh Europës gjatë një interviste në një emisionin televiziv: “Nuk kemi forcën ekonomike për të mbajtur të vetëm peshën e kësaj emergjence. Por do të bëjnë pjesën tonë”.

Ajo që po ndodh këtej është se në pranverë mund të përfshijë edhe Italinë drejtpërdrejt, nuk është gjë tjetër veçse një efekt domino në kufij. Rezultati është izolimi i tmerrshëm në të cilin, sot gjendet Greqia.
Duke e parë nga veriu në jug situate është e tillë: Austria ka pezulluar Shengenin me një vendim të njëanshëm, Hungaria është mbyllur pas mureve dhe ksenofobisë, Sllovenia ka ndërtuar pengesa dhe dy kampe pritjeje, ku refugjatët grumbullohen dhe nisen me trena specialë, Kroacia dhe Serbia po kthejnë pas edhe sirianët e afganët: vetëm dje 300 persona janë rikthyer në Maqedoni. Maqedonia, nga ana e saj, ka blinduar kufirin në jug me Greqinë. Dhe pikërisht në zonën mes fshatit maqedonas, Gevgjelija dhe atij grek të Idomenit, ku kanë kaluar përherë refugjatët, situata është bërë shpërthyese. Pasi ata nuk mund të kalojnë më.
Nuk kalojnë më 100 persona në ditë, por vetëm sirianët dhe irakianët me dokumente të rregullta e origjinale. Sa më shumë kalojnë, aq më shumë mbërrijnë dhe përfundimi është katastrofa humanitare. Në një kamp me kapacitet maksiman prej 1500 vendesh, tashmë janë grumbulluar mbi 8 mijë persona.
“Druhen se kufiri mund të mbyllet fare”, thonë aktivistë të Mjekëve pa Kufij. Sipas tyre, askush nuk mendonte se mund të gjente një trajtim të tillë në Europë.

Ja përse Greqia trembet dhe me të drejtë mos shndërrohet në një “magazinë shpirtërash”.  Dhe kjo është arsyeja përse 300 kilometra më larg në drejtimin verilindje në kufirin shqiptar, po përgatiten. Të gjithë ngrenë hipoteza për një ndryshim të itinerarit. Pasi “uji” nuk mund të mbahet për shumë kohë e asnjë “mur” nuk mund ta bllokojë.
“Ka ditë në të cilat flitet për një emergjencë të mundshme”, shpjegon Mariel Temo në doganën e Kapshticës, duke shtuar se këtu nuk ka arritur askush, por disa kamionistë më kanë sinjalizuar për një kamp me 500 refugjatë shumë afër kufirit grek”.

Kjo do të ishte një rrugë shumë e vështirë drejt Europës. Ngjitje, shira, rrugë, trena të lëna pasdore, qenë rrugësh e varfëri. Qeveria ka caktuar dy kazerma të vjetra në zonë për pritjen e parë. Askush nuk di të thojë me siguri se çfarë do të ndodhë… Prej muajsh, debati politik në Shqipëri është përqëndruar në reformën e sistemit të Drejtësisë. Diskutohet edhe për ligje antikorrupsion dhe papunësinë e të rinjve. Tashmë po shihet me shqetësim nga kufiri grek.

Article Logic
Execution time: 0.0034799575805664