INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ivanov: Populli e flaku poshtë marrëveshjen me Greqinë

Ivanov: Populli e flaku poshtë marrëveshjen me Greqinë

Publikuar më: 17:48 01-10-2018

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, marrëveshjen me Greqinë për emrin e vlerësoi si të dështuar, pas referendumit të së dielës, në të cilin nuk u arrit pragu i nevojshëm i pjesëmarrjes prej mbi 50%. Ivanov kërkoi që të respektohet vendimi i popullit, i cili sipas tij, “e hodhi poshtë marrëveshjen e dëmshme për emrin”.
“Në referendumin e së dielës, populli e hodhi poshtë marrëveshjen e Prespës. Me mosvotim, populli qartë u deklarua kundër zgjidhjeve të përshpejtuara, të imponuara dhe të dëmshme, pa arritur paraprakisht konsensus kombëtar. Heshtja e shumicës të dielën ka vendosur, bojkoti është zë i atyre që janë nënvlerësuar dhe nuk janë dëgjuar. Mesazhi i popullit është dërguar deri tek ata që duhet ta dëgjojnë. Realiteti është se referendumi ka dështuar. Mos tentoni që ta ndryshoni këtë realitet. Mos e nënvlerësoni vullnetin sovran të popullit maqedonas. Nuk mund të diskutohet për vullnetin e shumicës në kushte kur nuk është plotësuar pragu ligjor për referendumin; 36.9% nuk paraqet vullnetin e popullit, por 63.1% e atyre që nuk votuan. Tani është koha për përgjegjësi para popullit maqedonas”, u shpreh Ivanov.
Ai u dërgoi porosi edhe atyre që sipas tij, përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë duke theksuar si sfidë të dytë nevojën për konsensus kombëtar për arritjen e qëllimeve strategjike, por edhe duke kërkuar nga shumica parlamentare që të pranojë, siç tha ai disfatën në referendum.
“I porosis ata që t’i respektojnë konventat për marrëdhënie diplomatike. Ata që kanë deficit demokratik, nuk mund të imponojnë zgjidhje në kundërshtim me vullnetin sovran të popullit”, tha Ivanov, duke rikujtuar fjalimin e presidentit amerikan në Kombet e Bashkuara se “liria, paqja dhe demokracia janë të mundshme vetëm në shtete sovrane dhe të pavarura”.

Article Logic
Execution time: 0.0035340785980225