Këshilli i Bashkimit Europian ka zbardhur axhendën e plotë të samitit të shumëpritur të Sofjes, ku liderët e vendeve të unionit së bashku me liderët e institucioneve kryesore europiane do të takohen me liderët e Ballkanit Perëndimor. Ky është samiti i parë i këtij niveli që prej vitit 2003 në Selanik, dhe vjen në një kohë që Brukseli është angazhuar zyrtarisht që të integrojë rajonin.
Axhenda parashikon që samiti të zgjasë vetëm gjatë paradites së datës 17 maj, dhe në 15.30 gjithçka të jetë përfunduar.Bisedimet do të bëhen gjatë dy sesioneve plenare, ndërkohë që konferenca përmbyllëse mes Donald Tusk, Jean Claude Juncker dhe Boiko Borisov do të mbahet në orën 15.00.
Nesër do të mbahet një forum biznesi ku të pranishëm do të jenë edhe ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri, në të cilin do të diskutohen mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në fusha të ndryshme. Në datën 18 do të mbahet një tjetër forum ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Rama, me fokus sërish ekonominë.