INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ja çfarë duhet të bëni për t’u punësuar në Gjermani

Ja çfarë duhet të bëni për t’u punësuar në Gjermani

Publikuar më: 20:00 27-12-2016

Gjermania dhe Shqipëria kanë nisur disa projekte të përbashkëta me qëllim për të zvogëluar numrin e emigrantëve ilegalë. Ndër to është edhe ai i Qendrës për ndërmjetësim në punësime ndërkombëtare i Agjencisë për Punë.

Gjermania në fund të tetorit të vitit të kaluar e ka ashpërsuar regjimin e marrjes së azilit për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, shtetasve të këtyre vendeve u është lehtësuar ardhja legale dhe futja në tregun e punës në Gjermani. Ai që në Shqipëri mund të dëshmojë se ka gjetur një punë në Gjermani, më lehtë mund të marrë një vizë pune.

Puna legale në Gjermani
Marisa Kacori nga Enti për punësim në Tiranë thotë se ata “në Tiranë u ofrojnë personave të kthyer nga Gjermania këshilla për punësim në Shqipëri dhe për një rifillim”. „Në kuadër të projekteve të përbashkëta me institucionet gjermane atyre u jepen njëkohësisht informacione për punësim legal në Gjermani”.

Shumë shqiptarë, në radhë të parë ata të fushës së mjekësisë, kanë ardhur në Gjermani për të kërkuar punë. Të ardhurat mujore këtu janë shumë më të larta se në Tiranë, ku një mjek në klinikë paguhet për shembull rreth 230 euro. Ndërsa në klinikat në Gjermani mungojnë rreth 10.000 punonjës. Në Shqipëri çdo vit kryen shkollën e mesme të mjeksisë rreth 2000 persona, ndërsa punë gjejnë vetëm 300 prej tyre. Në Shqipëri aktualisht të papunë janë rreth 20.000 persona që kanë kryer ndonjë shkollë të mjeksisë.

“Nga rajoni ynë vjen në Gjermani forca e shkolluar punëtore. Por shumë prej tyre nuk punësohen në profesionet që kanë mbaruar. Pavarësisht se çfarë shkolle kanë kryer në Shqipëri, ata shpesh në Gjermani punojnë vetëm në asistencë. Ne duam ta ndryshojmë këtë. Duam që forca e kualifikuar nga Shqipëria të punojë punët për të cilat ka kryer shkollë”, thotë Kea Decker.

Kushte të shumta për bashkim familjar
“Të gjithë ata që planifikojnë të punojnë në Gjermani, duhet të informohen mirë me kohë, sepse në fund mund të dëshpërohen shumë. Në veçanti sa i përket bashkimit të familjes”, thotë Ditmar Bandke, i cili në Düren të Gjermanisë ofron infromacione për punësim në Gjermani.
Një prej problemeve më të shpeshta është bashkimi i familjeve. “Kjo temë është shumë e komplikuar dhe kërkon njohuri të mirë. Të gjitha duhet të bëhen në bashkëpunim me Zyrën për të huajt, ambasadën gjermane dhe personat e kualifikuar për këtë punë”, thotë ai.
Bandke shpjegon se për një familje më të madhe duhet të mjaftojnë të ardhurat financiare dhe hapsira e banimit. Personat duhet të kenë para të mjaftueshme për qira, ujë, rrymë, siguracione, veshmbathje… Personat duhet të japin dëshmi konkrete për të ardhurat e tyre. Në veçanti problematike është për ata që kanë të ardhura më të vogla.

Article Logic
Execution time: 0.0037219524383545