INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ja ku do ta gjeni së shpejti tregun e 'Gabit'. Bashkia, projekt për grumbullimin e të gjithë tregtarëve

Ja ku do ta gjeni së shpejti tregun e 'Gabit'. Bashkia, projekt për grumbullimin e të gjithë tregtarëve

Publikuar më: 09:04 22-07-2018

Bashkia ka hartuar projektvendimin “Hapja e tregut publik të rrobave të përdorura'' për nxitjen e vetëpunësimit dhe tregtinë ambulatore të Komunitetit Rom dhe Egjiptian, në adresën rruga ''Ali Shefqeti''. Projekti synon ndërtimin e një tregu publik me kapacitet 100-120 tregtarë ambulantë, me një vlerë totale investimi prej rreth 150 mijë dollarë me kushte të përshtatshme për tregtim. Synimi është që të grumbullohen të gjithë tregtuesit e veshjeve të përdorura, nga tetë zona ku ata ushtrojnë aktivitetin, në një treg të vetëm në zonën e Shkozës, pranë banesave sociale.
Sipas relacionit, që shoqëron projektvendimin, aktualisht, bazuar në një kërkim që ka bërë bashkia, janë identifikuar tetë vende tregtimi të rrobave të përdorura, konkretisht:
. Në rrugën e Kavajës, pranë mbikalimit në Unazën e Madhe (më shumë se 200 tregtarë);
. Pranë urës te Pallati me Shigjeta (30 tregtarë);
. Përballë Farmacisë 10 (50-60 tregtarë);
. Në Laprakë pranë Poliklinikës Nr 7 (rreth 50 tregtarë);
. Pranë Instituti Bujqësor Kamëz (rreth 60 tregtarë);
. Pranë Shkollës së Bashkuar (20-50 tregtarë);
. Në rrugën Vath Koreshi (20-30 tregtarë);
. Pranë ish Stacionit të Trenit (200 tregtarë).
Në relacion thuhet se tregtimi i veshjeve të përdorura ka qenë shpesh objekt i ankesave të qytetarëve, ndërsa sipas Institutit të Shëndetit Publik përbën një ngarkesë të madhe mikrobiale në mjedis.
Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.

Article Logic
Execution time: 0.0036828517913818