INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ja reagimet pas thirrjeve për vrasjen e ambasadores Vlahutin nga Kastriot Islamaj [FOTO]

Ja reagimet pas thirrjeve për vrasjen e ambasadores Vlahutin nga Kastriot Islamaj [FOTO]

Publikuar më: 17:26 10-05-2017

Kastriot Myftaraj është liruar me urdhër të prokurorisë duke cilësuar se nuk kishte vepër penale në shkrimin e tij kundër ambasadorës së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin. Në këtë shkrim, Vlahutin fyhej në mënyra të ndryshme dhe banale, por veç kësaj ai kërkonte dhe vrasjen e saj, veprim që e argumentonte jo si akt terrorist por si akt antiterrorist.

Ky shkrim i Myftaraj, mori dy medalje, komente lavdëruese dhe kritikuese nga lexuesit e tij, por të shumta ishin edhe reagimet e personaliteteve të njohur në vend. Më poshtë ju pasqyrojmë disa nga reagimet:

Letër për Romana Vlahutin, ambasadore e BE në Shqipëri

E nderuara Zonjë,

Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar.

Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.

Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.

E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme.

Ismail Kadare

 

Blendi Fevziu:

Shkrimi i Fevziut:

Dje në mbrëmje vonë, disa prej portaleve ende në punë njoftuan se forcat policore të antiterrorit kishin shoqëruar në komisariat, Kastriot Myftarajn, një person publik, të cilit mund t’i vendosësh më shumë se sa një epitet dhe më të cilin në thuajse 100 përqind të rasteve as unë dhe as shumë vetë nuk janë dakort. Sipas njoftimit të policisë, Myftaraj ishte ndaluar për një shkrim kundër Ambasadores së BE, Romana Vlahutin, shkrim që sipas policisë nxiste urrejtjen dhe dhunën. Nuk e kam lexuar shkrimin e Kastriot Myftarajt.

Pothuajse nuk kam lexuar asnjë shkrim të tij. Por e kam ndjerë zhurmën që përcjellin ato në publik. Një miksim paranojash, shpifjesh, sharjesh, fyerjesh, trillimesh, e herë herë edhe kërcënimesh. Di që ca vjet më parë ka botuar një libër afro 900 faqe kundër meje. I fundmi një serie shkrimesh që me siguri kanë qenë shumë më të ashpër dhe më fyes se sa ky ndaj Ambasadores Vlahutin. Por si kam dhënë asnjë rëndësi të gjitha këtyre. Nuk i kam marrë kurrë seriozisht, por sot më duhet të them se ndalimin e tij nga policia e kam marrë dhe e konsideroj shumë serioz. Jo se më dhimbset Myftaraj, as se e vleresoj atë. Por se ndalimi i tij dëshmon se ligji është selektiv dhe pikërisht për këtë arsye i padrejtë dhe i paaftë të krijojë drejtësi. Ka dy arsye se përse e mendoj këtë. E para shkrimet e Myftarajt kanë qenë të mbushura me fyerje dhe me sharje edhe për persona të tjerë publikë në Shqipëri. Dyshoj që të ketë ndonjë politikan apo njeri mediatik që t’i ketë shpëtuar mllefit të tij. Dhe kjo jo sot, por për vite me rradhë.

Një herë diku nga fillimi i viteve 2000 ai u ndalua dhe u gjykua për nxitjen e urrejtjes fetare, në mos gaboj, por ky ishte i vetmi rast. Një rast që nuk e kam ndjekur me detaje dhe nuk di ta vlerësoj. Por në gjithë rastet e tjera, as antiterrori, as prokuroria, as shoqata gazetarësh dhe as NGO që protestojnë për cdo gjë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim kundër tij. As deklarata dhe sqarime dhe jo më rrugët normale ligjore që mund të merreshin në këtë rast për të mbrojtur individët e cënuar. Në rastin që sulmet e tij cënuan një ambasadore të huaj shteti veproi. Ky është një standart tipik i dyfishtë. Ligji o është i barabartë për të gjithë, ose jo. Ai nuk mund të mbrojë një ambasadore dhe të lerë jashtë një tjetër për të vetmen arsye se është nënshtetas shqiptar. Myftaraj mund të ishte përgjigjur para ligjit shumë herë, por këtë herë po përballet jo për fjalët e tij, por për hir të frikës dhe kompleksit që kemi ndaj të huajve.

E dyta, ligji nuk ka vepruar njësoj për të gjithë. Myftaraj është një prej atyre që i ka të mbushur shkrimet e tij me fyerje. Por sa të tjerë sorrollaten në shtypin shqiptar me duart ne xhepat e mbushur me dinamit. Sa derdhin helm madje edhe m… mbi kokat e personave publikë apo jo. Sa shpifin dhe nxitin urrejtje pa asnjë kriter deri mbi fëmijë të porsalindur apo adoleshentë, mëkati i vetëm i të cilëvë është se prindërit e tyre janë persona publikë. Sa veta shkaktojnë trauma të përditshme në familje dhe nxisin një hakmarrje të heshtur por vrastare vetëm nga kënaqësia që po i bien në qafë dikujt. Ose nga xhelozia që nuk kanë arritur atë që ka arritur preja e tyre. A ka marrë masë ndonjë organ ligjzbatues ndaj tyre? A është shoqëruar ndonjë prej tyre në polici? A ka pasur ndonjë gjykatë që të marrë një vendim të drejtë pa pasur frikë nga shtypi apo nga politika që e përdor atë! Jo, asnjë rast! Ndaj ndalimi i Myftarajt është selektiv.

E treta, a janë të mbushur komentet e portaleve me mllef dhe neveri. A ka aty përditë thirrje të hapura për dhunë, vrasje, djegie, mallkime dhe deri kërcënime direkte ndaj personave të njohur. A ka vepruar qoftë edhe një herë të vetme ligji kundër tyre? Asnjëherë. Edhe kur Majlinda Bregu kërkoi një rregullim ligjor në këtë drejtim të gjithë qenë kundër saj. Ndaj ndalimi i Myftarajt është selektiv. Sepse duhej të kishte ndodhur shumë herë me persona të tjerë.

E fundit po jo më pak e rëndësishmja, po kaq acaruese, arrogante, nxitëse urrejtjeje dhe mllefi është edhe gjuha e politikanëve. Fjalimet e tyre në parlament apo jashtë, postimet në Facebook janë të shpesh më të këqia se sa shkrimet e gazetarëve më të pistë. A është dënuar ndonjë prej tyre për këtë? A ka mbajtur njeri përgjegjësi për shpifjet dhe mashtrimet e tij? Thuajse asnjëherë. Është thënë gjithnjë “kjo është politikë”, thuajse politika toleron edhe shkeljen e ligjit apo qëndron mbi të. Dhe kur kjo gjuhë politikanësh të papërgjegjshëm, mashtrues dhe ordinerë vjen në shtyp, faji kalon tek ai. Ndaj pa u përgjigjur qoftë edhe një prej shpifësve ndalimi i Myftarajt mund të konsiderohet selektiv. Ndaj sot, si një prej atyre që më shumë se të tjerë ka qenë në qendër të sulmeve dhe shpifjeve të Myftarajt, jam gati të them, se kur e drejta është selektive, ajo nuk është më drejtësi, por padrejtësi!

Nga Përparim Kabo

Dëgjova një mesazh se është arrestuar ... Kastriot Myftaraj… Pse? Se ka shkruajtur një shkrim për zonjën Vllahutin… Kush nuk e njeh Kastriotin do të thoja se ai ka nivel të ulët kulturor, kush nuk e njeh Kastriotin do të lërë të kuptohet haptazi se nuk është rritur me libra dhe me lexime, do tregonte në dritën e diellit se është nga soji frikacakëve…

Kastriot Myftaraj është ndryshe, është një njeri erudit, polemist i hapur dhe guximtar. Kur një autore franceze botoi një libër mbi origjinën e kombit shqiptar, si një provokim i hapur antishqiptar një libër antishkencor dhe denigrues, ishte Kastrioti që iu gjegj flak për flak me një botim të tijin duke mbrojtur atdheun dhe nderin e tij…

A jam unë dakord me të gjitha ato që shkruan dhe thotë Kastrioti? Jo nuk jam dhe kjo është krejt normale, sepse edhe ai nuk është në një mëndje me shumë ose për  ndoca argumente apo shpjegime të mijat…

Kjo është normale në një vend normal ku fryma dhe qielli mendimit është pluralizmi kulturor. Nuk trembet liria me arrestime. Unë nuk iu them as lëroheni dhe as nxirreni … unë kam një kërkesë tjetër… Ejani më merrni dhe mua dua të jem në një qeli me Kastriot Myftaraj…

Dje një studente po fliste për Procesin e Kafkës në seminar dhe për shembull citoi diçka nga akuza që iu bë at Zef Pllumit dhe etërve të tjerë nga regjimi komunist dhe ku në akuzë shkruhej se… Ju mbani përgjegjësi për kryqëzatat, për pushtimin turk dhe austro-hungarez”… aq sa Ati u shpreh… unë nuk e pranoj këtë akuzë se kam le në vitin 1924 e këto që ju thoni kanë ndodhë para se unë të kisha le…

“Nëse do ta mundësh kundërshtarin edhe me provokuesin dhe me të pavërtetin përdor arsyen. Liria e mendimin nuk prangoset sepse liria nuk është trup me duar… Keni kë të  arrestoni nga  njerëzit e shtetit, keni shumë madje, me kokë me këmbë dhe me pasuri; por Ju nuk i lidhni ata dot sepse jeni të lidhur prej tyre.

Kastriot qëndro si të ka hije…unë jam me ty se jam me lirinë e shprehjes… Ju jeni dishepulli saj edhe kur mund të keni qasje apo argumente të gabuara…

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është njohur me rastin e arrestimit të publicistit dhe autorit të disa librave Kastriot Myftaraj për shkak të një shënimi komentues në të cilin me një gjuhë që shpërfill Kodet e Etikës në komunikimin publik dhe cënon ligjin “Për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes”, shkon deri në kercenimin verbal ndaj ambasadores së BE-së në Shqipëri.

Kjo flagrancë në tekstin e publicistit në fjalë ka pasuar me masën e arrestimit nga ana e Policisë së Shtetit. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron këtë një mase ekstreme dhe vlerëson se arrestimet apo burgosjet për shkak të fjalës dhe komentit të lirë në Shqipëri janë një histori e së shkuarës, e cila nuk meriton në asnjë mënyrë të përsëritet.

Liria e fjalës dhe e shprehjes duhet të bashkëjetojë me parimet dhe normat etike. Komuniteti i mediave dhe sidomos ai i gazetarëve dhe editorëve shqiptarë le ta pranojnë këtë rast si një mundësi për distancim nga shkeljet dhe përdhosjet etike në komunikimet përmes mediave dhe atë publik.

Ne kërkojmë heqjen e prangave për publicistin dhe aplikimin e penaliteteve ligjore të cilat nuk parashikojnë vetëm burgimin për shkak të fjalës apo publikimit.

Zyra e shtypit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë”

 

Ky akt shkaktoi një reagim të gjerë të opinionit publik dhe mediave në Shqipëri. Por mesa duket që ky arrestim ka bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare. Së fundimi është portal i njohur amreikan FOXnews.com i cili i ka bërë jehohë arrestimit të Myftarajt.

 

Article Logic
Execution time: 0.0045650005340576