INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ja  taksat e reja që do të paguani nga sot për makinat, cigaret…

Ja taksat e reja që do të paguani nga sot për makinat, cigaret…

Publikuar më: 12:22 01-01-2017

Sot hyjnë në fuqi ndryshimet në paketën fiskale 2017. Nga zbatimi i këtyre ligjeve, buxheti i shtetit pritet të arkëtojë mbi 6 milionë euro nëpërmjet rritjes të akcizës 8 lekë për litër ndaj mjeteve të transportit, zgjerimit të bazës së taksimit të makinave luksoze, dyfishimit të akcizës për cigaret e luksit.

Gjithashtu hyn në fuqi ulja e rentës minerale për disa lloj xeherorësh.

Hyn në fuqi një ligj i ri për tatimin mbi të ardhurat që në thelb njeh si shpenzim të zbritshëm, deri në 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit. Interesat që paguhen për kreditë apo huatë te të tretët nuk do të njihen si shpenzime të njohura nëse teprica e shpenzimit neto të interesit tejkalon 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit dhe tatimeve.

Viti 2017 shënon të katërtin vit radhazi ku politika fiskale e vendit po anon nga rritja e taksave, ndonëse do jetë me ritme shumë më të zbutura se dy vitet e mëparshme.

Politika e re fiskale e qeverisë nuk do të sjellë ndryshime thelbësore në klimën e biznesit, por gjithsesi ajo jep sinjale pozitive për heqjen dorë nga mjetet represive ndaj ekonomisë private. Gjithsesi, Shqipëria vijon të jetë vendi me rendimentin më të ulët në Ballkan në grumbullimin e taksave në raport me PBB.

Të gjitha ndryshimet:

NDRYSHIMET NË LIGJIN E AKCIZAVE

Rritet me 8 lekë akciza për gazin e lëngët që konsumojnë mjetet e transportit

Qeveria ka planifikuar që në janar të vitit që vjen të aplikojë akcizë për gazin e lëngshëm për mjetet e transportit në nivelin 8 lekë për litër. Ministria e Financave ka arsyetuar se kjo masë ka qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt.

Diferencimi i këtij produkti, në raport me nënproduktet e tjera të naftës, bie ndesh me politikat e përafrimit gradual me nivelin e detyrueshëm minimal të taksimit që aplikohet në BE, ku aplikohet akcizë në nivelin e detyrueshëm sipas direktivës, argumenton Ministria e Financave në relacionin përkatës për paketën fiskale të 2017-s. Për të mos ndikuar në rritjen e shpenzimeve nga përdoruesit familjarë të industrisë dhe për të shmangur abuzimet që mund të ndodhin duke aplikuar nivele të diferencuara, me qëllim inicimin e procesit të përafrimit siç edhe ka ndodhur me produktet e tjera të akcizës, është propozuar nga qeveria një nivel taksimi me akcizë 13 lekë për litër, por që Komisioni i Ekonomisë në Kuvend vendosi që kjo taksë të mos jetë më shumë se 8 lekë për litër.

Dyfishohet akciza për purot, ulet për duhanin vendas

Akciza për purot dhe cigarillot e importuara do të dyfishohet, ndërsa për duhanin prodhim vendi, do të ulet me 43%.

Për purot dhe cigarillo nga 2250/2500 lekë për kilogram që është aktualisht shkon në 4400 lekë. Bazuar në të dhënat e vitit 2016, sasia e pritshme e importit të kësaj kategorie produktesh duhani, pritet të jetë 2 tonë. Për vitin 2017, nëse nuk do të ketë efekte negative në deklarim për shkak të rritjes së akcizës, efekti në të ardhura do të jetë 38 milionë lekë.

Qeveria ka vendosur të shfuqizojë akcizën e cigareve të programuar për 2017, duke e riskeduluar rritjen në vitet 2018-2021.

Rritja e parashikuar e akcizës më 1 janar 2017 për cigaret nga 5500 lekë për 1000 copë në 6500 është shtyrë për 2018. Ministria e Financave synon të ndryshojë nivelin e taksimit gradualisht, në mënyrë që të shmangë efektet e krijimit të stokut në avancë nga importuesit, siç rezultoi në vitet 2013-2015. Nga ana tjetër, niveli i akcizës në vendet e rajonit ka ndikim në presionin e kalimeve ndërkufitare të udhëtarëve dhe rritja e menjëhershme në nivelin 47.4 euro siç është parashikuar aktualisht në ligjin në fuqi do të krijonte risk të rritur.

Reduktohet akciza për duhanin prodhim vendi, nga 4400 lekë për kilogram në 2500 lekë për kilogram. Nga kjo masë pritet të arkëtohen 75 milionë lekë më shumë në buxhetin e 2017-s. Për shkak të nivelit shumë të ulët të deklarimit të duhanit prodhim vendas dhe marzhit të ulët të nivelit të taksimit midis duhanit të grirë dhe cigareve, propozohet që të ruhet niveli ekzistues i taksimit të duhanit duke mos aplikuar rritje për vitet 2018-2021, me qëllim përafrimin me diferencimin që ka duhani i grirë me cigaret.

Ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare, rritet baza e taksimit të makinave luksoze

Ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare riklasifikuan të ashtuquajturave “Automjete luksoze”, duke kërkuar ndryshimin e vlerës/ çmimit të këtyre mjeteve, nga 7 milionë në 5 milionë.

Aplikimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit për sasinë e benzinës dhe gazoilit që gjendet në përmbajtjen e biokarburantit, ndërsa për pjesën e produktit “BIO” nuk do të aplikohet taksa. Ky ndryshim do të sigurojë një taksim të drejtë, duke taksuar sipas sasisë së benzinës dhe gazolit që ka në përmbajtje karburanti për produktin bio.

U aplikua përjashtimi nga pagesa e taksës së qarkullimit për sasinë e benzinës dhe gazolit e prodhuar në vend për qëllimi eksporti. Rishikimi i këtyre dispozitave ligjore bëhet në përputhje me parimet fillestare për të cilat u vendos taksa e qarkullimit ku “ndotësi paguan”.

Ndryshoi skema lehtësuese që përjashton nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit, duke kërkuar tanimë që ky përjashtim të bëhet nëpërmjet aplikimit të procedurave të rimbursimit, të cilat do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe do të fillojnë të aplikohen nga data 1 korrik 2017

U rregullua dispozita në të cilën shoqëritë e sigurimit të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ngarkohen në mbledhjen e taksës mbi primet e shkruara, duke propozuar që tanimë taksa të evidentohet e veçuar nga primi.

U bënë disa saktësime për përjashtimin nga taksa vjetore të mjeteve të përdorura si dhe taksës së përvitshme dhe taksës së regjistrimit të mjeteve luksoze, jo vetëm për mjetet e bllokuara ose ato të vërtetuara si të vjedhura por edhe mjetet e djegura, të shkatërruara nga aksidentet, të cilat vërtetohen nga organet e prokurorisë.

U saktësuar dispozitës përsa i takon përjashtimit nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, për mjetet që janë apo kalojnë në zotërim të invalidëve, të cilat janë edhe më të vogla se 4+1, për arsye se kategoritë e invalidëve mund të kenë në përdorim mjete të përshtatura për kategorinë e tyre.

Renta, ndryshon baza e referencave

Një nga masat e reja fiskale të vitit 2017 është reduktimi i Rentës Minerare për mineralin e destinuar për përpunim. Të ardhurat si rezultat i ndryshimit të përqindjes së taksës së rentës nga 4% (2/3 e 6%) në 3% për mineralin krom, të destinuar për përpunim brenda vendit, pritet të jenë 0.1 miliard lekë. Por, nga ana tjetër, do të aplikohen vlera referuese për bazën e taksimit të rentës, bazuar në çmimet e tregut ndërkombëtar dhe shitjet brenda vendit dhe për eksport. Efekti pozitiv i kësaj mase në të ardhura është llogaritur 500 milionë lekë, bazuar në nivelin e vetëdeklaruar nga kompanitë eksportuese të naftës bruto gjatë viteve 2013-2015.

Tregu kombëtar i industrisë minerare prej gati dy vitesh ndodhet në një rënie të theksuar, e cila reflektohet në ulje të theksuar të çmimeve dhe rrjedhimisht në vështirësi të mëdha për një pjesë të subjekteve minerare, deri në falimentimin dhe mbylljen e disa subjekteve të tjera që ushtrojnë veprimtari për nxjerrje, përpunim dhe tregtimin e mineraleve. Nga listëpagesat e tatimpaguesve me aktivitet nxjerrjen e mineraleve joferrore rezulton se në këtë veprimtari janë të punësuar 3,369 punonjës. Për vitin 2017, të ardhurat e parashikuara do të ulen me 10 milionë lekë për ndryshimin e përqindjes së taksës së rentës nga 4% (2/3 e 6%) në 3% për mineralin krom, të destinuar për përpunim brenda vendit.

Por Ministria e Financave analizon se efektet negative për shkak të rimbursimit prej 5% kompensohen nëpërmjet rritjes së rezultatit financiar të kompanive eksportuese në rajon, duke rritur volumet. Në rastin e eksportit të produkteve shqiptare me ambalazhe plastike apo qelqi, për të cilat është paguar taksë ambalazhi në momentin e importit apo shitjes pas prodhimit brenda vendit, propozohet të parashikohet rimbursim pas paraqitjes së dokumentacionit që vërteton pagesën e taksave dhe eksportin. Ndryshimi i propozuar vlerësohet të ketë një efekt pozitiv prej 500 milionë lekësh sipas nivelit të çmimeve të vitit 2016 për të ardhurat nga renta minerare.

Në vitin 2017, tarifat e qymyrit koks nga 2% aktualisht do të bëhen zero. Ky produkt importohet kryesisht nga vendet EU, CEFTA, EFTA me tarifë 0%. Duke marrë parasysh të dhënat vjetore për këtë produkt të importuar në vitin 2015, efekti i reduktimit të kësaj tarife nga 2 në nivelin 0%, parashikohet të ketë efekt negativ në të ardhura me rreth 30 milionë lekë.

Ligji për tatimin mbi të ardhurat, shpenzimet për interesat e bankave njihen pjesërisht të zbritshme

Në ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, Parlamenti miratoi aktin ligjor që njeh si shpenzim të zbritshëm, deri në 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit.

Interesat që paguhen për kreditë apo huatë te të tretët nuk do të njihen si shpenzime të njohura nëse teprica e shpenzimit neto të interesit tejkalon 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit dhe tatimeve. Më parë, interesat nuk njiheshin si shpenzime të zbritshme, nëse huaja dhe parapagimi tejkalonin mesatarisht katër herë shumën e kapitaleve të veta.

Sipas relacionit që shoqëron këtë ndryshim, “Financimi me borxhe shumë të larta i shoqërive, sidomos nga jashtë vendit apo nga kompani të lidhura, është shkak për një erozion të papranueshëm të bazës së të ardhurave të tyre, pasi interesi mbi borxhin, ndryshe nga dividendi, është i zbritshëm për qëllime tatimore. Në këtë mënyrë, shpesh shoqëritë kontribuojnë me borxh ndaj bijave përkundrejt rritjes së kapitalit”. Për këtë qëllim, projektligji propozon ndryshim në rregullat për njohjen e shpenzimit të interesit për qëllime tatimore. Ky parashikim e lidh njohjen e shpenzimit të interesit me kapitalet e veta. Ky rregull i thjeshtë i kapitalizimit që bazohet në raportin borxh/kapital, synon të zëvendësohet me një rregull tjetër, i cili bazohet në fitimin përpara interesit dhe tatimeve dhe e lidh shpenzimin e interesit edhe me tepricën ndërmjet shpenzimeve të interesit me të ardhurat nga interesi, thuhet në relacion.

Article Logic
Execution time: 0.0042061805725098