Anëtari i Kryesisë në PD, Jamarbër Malltezi ka denoncuar kërkimet për naftë në parkun Kombëtar të Zagorisë. Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se ka firmosur që në Parkun Kombëtar të Zagorisë, pjesë e bllokut 4, të shpohet dhe të kërkohet për naftë.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Malltezi ka publikuar edhe një dokument që sipas tij e vërteton një gjë të tillë, ndërsa shton se protesta dhe qëndresa është e vetmja gjuhë që njeh Edi Rama.
“Ai mund të dalë dhe të thotë se këto fakte janë fotomontazh! Çfarë nuk bën vaki me këtë kryeministër! Por e vërteta është se Edi Rama i ka gënjyer shqiptarët sy për sy. Ai ka firmosur që në Parkun Kombëtar të Zagorisë, pjesë e bllokut 4, të shpohet dhe të kërkohet për naftë ”, është shprehur Malltezi.
Deklarata e plotë:
Shqiptarët po tregojnë gjatë gjithë këtyre ditëve se duke protestuar, mund të ndalojmë të keqen.
Kështu ndodhi në kanionin e Holtës. Ne protestuam bashkë me banorët dhe qeveria u detyrua të ulej në bisedime. Akoma nuk ka pranuar se do ta anullojë vendimin me gjasë korruptiv të Edi ramës dhe Damian Gjiknurit, por ne sërish jemi gati të protestojmë.
Protesta e përditshme ka shpëtuar shtëpitë e mijëra banorëve tek Zona e Astirit, protesta e studentëve tregon se ata akoma nuk janë dorëzuar, protesta e pritshme e pedagoëve është një sinjal po ashtu frymëzues. Të gjithë janë në protestë, nga Tirana, deri tek Zagoria e largët në Gjirokastër.
Protesta e Zagorisë nxori përpara shqiptarëve një kryeministër frikacak dhe mashtrues i pacipë për të mbuluar aferat e tij në grabitjen e pasurive të vendit.
“Nuk bën vaki që qeveria të lejojë shpime naftëkërkuese në një Park Kombëtar”- ishte deklarata e Edi Ramës për të frenuar protestat e banorëve.
Në të vërtetë, ky është një mashtrim flagrant i një kryeministri frikacak.
Vakia ka ndodhur dhe ka ndodhur me praninë dhe firmën e vetë Edi Ramës.
Në 20 shkurt 2018, të gjitha mediat raportuan për arritjen e një marrëveshje historike që do të na bëntë si Arabia Saudite me shpimin në bllokun 4, zona mes Gjirokastrës dhe Sarandës. I ftoj mediat, t’u kthehen atyre pamjeve dhe t’u tregojnë shqiptarëve vakinë e paralajmëruar nga Edi Rama dhe Damian Gjiknuri.
Fotografia gjatë firmosjes së marrëveshjes për shpim dhe kërkim nafte në zonën e Zagorisë nuk është akti i vetëm i frikacakut kryeministër, që mashtron pa iu dridhur syri.
4 muaj më vonë, më 12 qershor, marrëveshja u miratua në Këshillin e Ministrave dhe mban firmën e Edi Ramës.
Ai mund të dalë dhe të thotë se këto fakte janë fotomontazh! Çfarë nuk bën vaki me këtë kryeministër! Por e vërteta është se Edi Rama i ka gënjyer shqiptarët sy për sy. Ai ka firmosur që në Parkun Kombëtar të Zagorisë, pjesë e bllokut 4, të shpohet dhe të kërkohet për naftë!
Protesta dhe qëndresa është e vetmja gjuhë që njeh frikacaku dhe mashtruesi Edi Rama. Dhe këtë do të marrë derisa t’ia arrijmë t’u heqim shqiptarëve nga qafa një kryeministër hajdut, arrogant, shërbëtor i krimit dhe oligarkëve.