Është rritur me 8 numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri duke e çuar numrin total të të prekurve në 803.
Në rastet e reja, 5 janë regjistruar në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Durrës. Specialistja e ISHP-së, Eugena Tomini deklaroi se situata në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme.
Deri më tani aktualisht janë 229 persona aktivë me Covid-19. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se 68 përqind e totalit të të prekurve janë të shëruar.
Sipas MSH-së, kjo është java me nivelin më të ulët të rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë
Momentalisht janë të shtruar 34 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.
Deri më tani betejën me këtë virus në vendin tonë e kanë humbur 31 pacientë, ndërsa zona me më shumë raste aktive deri më tani rezulton të jetë Kruja.
Që prej ditës së sotme, në zonën e gjelbër me më shumë masa lehtësuese janë futur 18 bashki:Tropoja, Rrogozhina, Peqini, Belshi, Cërriku, Gramshi, Ura Vjagurore, Kuçova, Berati, Poliçani, Skrapari, Devolli, Pusteci, Maliqi, Mallakastra, Kolonja, Vlora dhe Selenica.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive:
Tiranë 93
Krujë 87
Shkodër 17
Kurbin 14
Kukës 5
Elbasan 4
Mirditë 2
Berat 2
Durrës 1
Korçë 1
Lezhë 1
Lushnje 1
Mat 1
Situata me Covid-19 në mbarë botën:
Në të gjithë botën, numërohen rreth 3.5 milionë qytetarë që janë infektuar me COVID-19.
SHBA mbahet si i vetmi vend që ka kapur 1 milionë të infektuar me koronavirus, i cili ndiqet nga Europa si kontinenti i dytë më i goditur nga COVID-19.
Ndërkohë viktimat janë rreth 250 mijë, edhe këtu SHBA fatkeqësisht mban kryesimin me 68 mijë viktima.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) përsëriti se koronavirusi besohet të jetë “natyral në origjinë”, duke iu përgjigjur një pretendimi të Presidentit amerikan Donald Trump se kishte prova që tregonin se virusi doli nga një institut virologjie në Wuhan, Kinë.
Një lajm i mirë vjen nga Zelanda e Re, e cila për herë të parë sot që nga 25 marsi nuk ka regjistruar asnjë rast me koronavirus.
Gjithashtu edhe në Malin e Zi nuk ka patur asnjë rast të ri të infektuar me koronavirus, ndërsa numri total i viktimave ka shkuar në 8.
Në Kosovë numri total i të infektuarve me Covid-19 ka arritur në 851, ndërsa i atyre të shëruave ka shkuar në 381.
Lajme të mira vijnë edhe nga Italia, e cila pas 2 muajsh më në fund tanimë mund të ndjejë pak liri. Nga dita e sotme qytetarët e Italisë mund të vizitojnë me maska të afërmit e tyre.
Gjithashtu janë rihapur restorantet vetëm për ‘delivery’ dhe parqet. Po ashtu mund të bëhen funerale deri në 15 persona.