INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Jeta pas humbjes së bashkëshortes dhe planet për të krijuar familje të re, rrëfehet Alban Hoxha [FOTO]

Jeta pas humbjes së bashkëshortes dhe planet për të krijuar familje të re, rrëfehet Alban Hoxha [FOTO]

Publikuar më: 11:05 09-04-2017

Dy vjet e gjysmë më parë, Alban Hoxha humbi bashkëshorten pak ditë pas lindjes së fëmijës së tyre të parë. Sot, Beko është dy vjeç e gjysmë dhe nënën nuk e ka njohur kurrë, por babai i tij përpiqet të bëjë gjithçka që i biri të jetë i lumtur.

“Është shumë e vështirë. Kalova diçka që nuk e kisha menduar ndonjëherë. Gjërat nuk harrohen, por koha kalon, të merr rutina e jetës. Këto gjëra thjesht ndodhin. Unë jam besimtar musliman dhe besoj se Zoti e ka shkruar, prandaj ka bërë edhe harresën, përndryshe bota do ishte shumë e vështirë.”, është shprehur Alban Hoxha për “Jo vetëm modë”.

Hoxha shpjegoi se, duke qenë se ka një axhendë shumë të ngjeshur për shkak të futbollit, shumicën e kohës është e ëma që kujdeset për Bekon e vogël.

Ai pranoi dëshirën për t’u bërë prind që në moshë të re, pa pasur frikë nga angazhimet. Ishte një dëshirë e përbashkët e tij dhe Dorianës, dhe përpara se të lindte Beko kishin nisur t’i blenin gjithçka mund t’i duhej, dhe ëndërronin si do e rrisnin, si do ta vishnin; donin të mos i mungonte asgjë.

“E kam dashur shumë një familje që në moshë të re. Kam menduar që fëmijën më vonë ta kem si shok, ky ka qenë parimi im. Tani po kaloj vështirësitë e babait të ri, por do të vijë një kohë kur do ta kem si shok, do ta kem nga pas kudo.”

Kohën që kalon me Bekon, nuk e ndërron me asgjë tjetër; i biri i fal qetësinë që kërkon pas çdo stresi të punës, e çon siç thotë në një botë tjetër, shumë më të bukur, bën me dije Anabel.

 “Nuk kam bërë ndonjëherë jetë nate, kam qenë gjithmonë familjar. Megjithatë që kur lindi djali, kohën për sportin dhe gjëra të tjera e kam mjaft të kushtëzuar. Por është diçka e bukur; kur ke kaq shumë stres sa të jep sporti, sa mbaroj ndonjë ndeshje shkoj tek djali dhe qetësohem me të. Hyj në botën e tij prej fëmije dhe për mua është bota më e bukur, që më bën shumë të lumtur.”

Albani pohon se pavarësisht se mund të ketë njohur “njerëz të caktuar”, është ende herët për të folur për një partnere që ta njohë me të birin si gruan e tij.

“Është herët për ta menduar. Nuk është se më pengon të dal dhe të njoh njerëz, por mendoj se është herët.”.

Dy vitet e fundit, Alban Hoxha është përfolur shumë për marrëdhënien e tij me Çiljeta Xhilagën, ndonëse asnjëri prej të dyve nuk e ka konfirmuar drejtpërdrejtë. Megjithatë fotot bashkë në rrjete sociale, komentet që i lënë njëri-tjetrit në postime dhe fakti që janë parë shumë shpesh bashkë, tregojnë se mes tyre ekziston një marrëdhënie e afërt.

Çiljeta, e cila gjithashtu kujdeset vetë për të birin, Fernandon, pas ndarjes nga babai i tij, është shprehur se kalojnë shpesh kohë me Alban Hoxhën dhe Bekon, dhe djemtë e tyre tashmë janë bërë miq. E pyetur mbi komentet dhe foto bashkë, në shtator ajo u shpreh kështu për “Bluetooth”:

“Jemi njerëz familjarë, nuk bëjmë lojëra për portalet.”

Article Logic
Execution time: 0.0036120414733887