Mbrëmja e maturës është një ndër mbrëmjet më të veçanta që gjimnazistët e presin me padurim dhe ndërkohë që të gjithë mendojnë për automjetin me të cilin do shkojnë apo shoqëruesen, Sabiti nga Kukësi e kishte menduar që në fillim të vitit të 3-të.
Ai bëri gjestin shumë të veçantë dhe emocionues pasi shkoi në mbrëmjen e maturës i shoqëruar nga e ëma e tij. Për të folur për herë të parë lidhur me këtë veprim, Sabiti dhe mamaja e tij Hate, ishin të ftuar në “Ftesë në 5”.
“E kam planifikuar që në fillim të vitit të 3-të. Mendoja se do dilte diçka e bukur, por nuk ma ka marrë mendja kurrë se do bëhej një bum kaq i madh.”, u shpreh 18- vjeçari.
Sabiti është më i vogli i 12 fëmijëve të zonjës Hate, e cila në moshën 67-vjeçare ka 28 nipër e mbesa dhe gjatë intervistët u shpreh se mamanë e tij e konsideron njeriun më të shtrenjtë të jetës.
Por siç duket, zonja Hate ka hezituar fillimisht kur mori ftesën nga i biri.
“I thashë: ‘Mos po bën ndonjë gabim që po më merr? Të gjithë shkojnë me shoqet!’ Por ai më tha: “Jo, dua të shkoj me zemrën teme.”‘
“Me partneren e jetës seme”, e korrigjoi Sabiti gjatë intervistës bashkë tek “Ftesë në 5”, “Nuk mendoj se ka partnere më të bukur se ajo që të ka bo kokën, apo jo?”
Kishte edhe nga ata komentues që e kritikuan 18-vjeçarin përse nuk ishte kujdesur për veshjen e mamasë. E pyetur nëse u mendua gjatë për ta zgjedhur, zonja Hate u përgjigj:
“Siç isha në shtëpi, ashtu shkova.”
“I kërkova që të shkoja t’i blija një veshje, por nuk pranoi.”, tregoi Sabiti, ‘Më tha: “Më e bukur, nuk bëhem më. Çfarëdo të vesh, kjo do të ngelem.”‘