Usain Bolt nuk mundi të fitojë medaljen e artë në garën e tij të fundit të karrierës në sprint 100 metra. Në finalen e sotme në Kampionatin Botëror të Atletikës në Londër, ai u rendit i treti duke u kaluar nga amerikanët Xhastin Getlin dhe Kristian Kolman.
Getlin i përshkoi 100 metrat për kohën 9 sekonda e 92 të qindtat, ndërsa Kolman për 9 sekonda e 94 të qindtat. Xhamajkani i cili ka dominuar për vite me radhë atletikën, kryesisht në garat e sprintit 100 dhe 200 metra, arriti të regjistronte vetëm kohën 9 sekonda e 95 të qindtat për t’u renditur në vendin e tretë.
30-vjeçari, 8 herë medalist i artë në Lojërat Olimpike, mban rekordin e garës së sprintit në 100 metra me kohën 9 sekonda e 58 të qindtat, i vendosur në Kampionatin Botëror të Berlinit në vitin 2009.