INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Jo më Panama! Tashmë Parajsa e Kompanive që veprojnë në Shqipëri janë ishujt Cayman

Jo më Panama! Tashmë Parajsa e Kompanive që veprojnë në Shqipëri janë ishujt Cayman

Publikuar më: 11:17 16-04-2016
Kur të gjithë i kanë kthyer sytë te skandali i dokumenteve të Panamasë, që ekspozuan hapur guaskat e përtej detit, për kompanitë që kanë hyrë e veprojnë në Shqipëri, parajsa ka qenë diku gjetkë, jo shumë larg, në Detin e Karaibeve, në ishujt e Cayman. Zona ekzotike ka qenë një magnet për kompanitë e naftës që kanë hyrë në tregun shqiptar.  45% e koncesionarëve të naftës janë nga ky ishull ekzotik. Si përdoret zinxhiri offshore për të rritur shpenzimet e shmangur taksat e koncesionarëve.
UNCTAD i Kombeve të Bashkuara në një raport të fundit konstaton se sa më shumë investime nga parajsat fiskale, aq më pak qeveritë tatojnë fitimet. Në Shqipëri, renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftën dhe pasuri të tjera natyrore nuk i ka kaluar 100 milionë euro në vit, apo rreth 3-4% të totalit të të ardhurave në buxhet, ndërsa eksporti i burimeve natyrore, pa vlerë të shtuar, ka zënë edhe gati një të tretën e totalit të shitjeve jashtë vendit.
 
Nga 9 shoqëritë, me të cilat autoritetet shqiptare kanë nënshkruar marrëveshje të ndryshme konçesionare zhvillimi apo shfrytëzimi pas viteve 2000, tre prej tyre e kanë origjinën nga ishujt Cayman, një nga Ishujt Virxhin dhe pesë të tjera nga shtete të tjera në Europë . Statistikisht, 45% e kontratave konçesionare të shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore të vendit u janë dhënë kompanive të ashtuquajtura “offshore” (përtej detit), që e preferojnë këtë formë, pasi në këtë mënyrë arrijnë të fshehin ose aksionerët ose origjinën e parave të investuara, apo të dyja bashkë. Kontrata këto që nuk kanë qenë aspak sekret dhe kanë lulëzuar në vite e po vazhdojnë edhe ditët e sotme.
 
Monitor e ka trajtuar gjerësisht më parë ndikimin e ulët të pasurive të dhëna me koncesion në ekonomi, sidomos ato të naftës. Të dhënat nga bilancet e 14 operatorëve kryesorë konçesionarë në vend, disa prej të cilëve janë aktivë prej vitesh, tregojnë se teksa ata realizuan një xhiro prej rreth 700 milionë eurosh në 2014-n (rreth 6-7% e asaj që ekonomia prodhon në një vit), kanë paguar vetëm 2.7% të totalit të tatim fitimit të vitit në fjalë, ndërsa kanë rreth 3000 të punësuar, vetëm 1% e totalit të të punësuarve në vend, sipas INSTAT.
 
Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta të naftës, që arrijnë deri në 400 milionë tonë, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar, për shkak të investimeve të larta për kërkim. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore është e njohur se 40 milionë tonë janë të pashfrytëzuara, ndërsa 50 milionë tonë janë tashmë të shfrytëzuara.
Asnjë nga kompanitë nuk ka rezultuar ende me fitim dhe Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë pothuajse asgjë nga vitet e arta 2011-2014 kur ari i zi në tregun ndërkombëtar luhatej në 120 dollarë për fuçi (nga rreth 30 dollarë që luhatet sot). Ndërsa renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftë dhe pasuri të tjera nuk i ka kaluar 100 milionë eurot në vit.
 
Article Logic
Execution time: 0.003795862197876