Tirana nuk është më epiqendra e banorëve më qeflinj të vendit. Këtë herë ka marrë stafetën Korça e serenatave, lakrorit, kërnackave dhe vlerave historike dhe kulturore.
Korçarët pas investimeve të shumta në këtë qytet po i shijojnë më shumë frytet e “Parisit të vogël”. Për herë të parë në vitin 2018, Korça është qarku që shpenzon më shumë për argëtim dhe kulturë, me 3.5% të totalit, nga 3.3% që ishte një vit më parë dhe 1.9% në 2017-n.
Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT, në anketën e buxhetit të familjeve, publikuar së fundmi.
Këtë vit, për herë të parë ka zbritur nga froni Tirana, e cila deri tani mbante rekord për shpenzimet për argëtim, në raport me totalin që harxhojnë qytetarët e këtij qarku. Nga 4.1% të totalit në 2017, shpenzimet një vit më pas zbritën në 3.4%. Në vend të tretë ka kaluar Lezha, me 2.8% të totalit, e ndjekur nga Kukësi, me të njëjtën shifër. Për zonat bregdetare, si Durrësi, apo Vlora, 2018-a duket se ka qenë një vit me “probleme” dhe banorët e këtyre qyteteve nuk kanë pasur shumë kohë të argëtohen. Në Durrës, pesha e shpenzimeve për argëtim zbriti nga 2.9, në 1.9% dhe në Vlorë nga 2 në 1.4%, duke e renditur këtë qytet në të fundit në rang republike. Banorët e Shkodrës, Elbasanit, Fierit, shpenzojnë mesatarisht 2-2.2% të totalit për argëtim dhe kulturë. Në art, argëtim dhe kulturë përfshihen një sërë aktivitetesh, shfaqjet artistike deri tek aktivitetet e lojërave të fatit dhe basteve, nga aktivitetet në muze dhe biblioteka te palestrat dhe aktivitetet e tjera çlodhës. Deri në fund të vitit 2018 ishte i ligjshëm aktiviteti i basteve dhe lojërave të fatit, që merrte një pjesë të konsiderueshme të këtyre shpenzimeve, por tashmë bizneset e këtij lloji janë mbyllur.
Në total, familjet shqiptare shpenzuan për argëtim e kulturë 2.7% të buxhetit në 2018-n, në rënie nga 3% vitin e mëparshëm. Në raport me vendet e Bashkimit Europian, ne së bashku me vendet e tjera të rajonit, argëtohemi shumë më pak. Sipas Eurostat, mesatarja e BE shpenzon gati 8.5% të totalit. Peshën më të ulët në rajon e Europë e ka Maqedonia (1.9%), ndërsa në rajon më qejflinjtë janë shtetasit e Kosovës (4.1%).
Në fakt, sa më të varfër njerëzit, aq më pak mendojnë për t’u argëtuar. Të dhënat e anketës së buxhetit të familjeve të INSTAT treguan që në Shqipëri pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për ushqime, me 44% të totalit, e pandryshuar në raport me anketën e një viti më parë.
Monitor shkruan se në total, 772 mijë familje shpenzuan rreth 5.5 miliardë euro gjithë vitin për të siguruara nevojat e tyre për Ushqim dhe pije jo-alkolike (44,0%); Pije alkolike, duhan (3,5%); Veshje dhe Këpucë (4,3%); Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar (10,5%); Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të zakonshme të banesës (5,8%); Shëndet (4,2%); Transport (6,8%) Komunikim (3,6%); Argëtim dhe kulturë (2,7%); Arsim (3,0%); Restorante dhe hotele (4,7%); Të tjera mallra dhe shërbime (6,9%).
Vetëm për argëtim e kulturë, shpenzimet e familjeve llogariten në 150 milionë euro në 2018-n, nga 160 milionë euro një vit më parë, sipas të dhënave të përpunuara nga shifrat e INSTAT.