INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“Jo të gjithë studiojmë në Francë zonja Ministre…”

“Jo të gjithë studiojmë në Francë zonja Ministre…”

Publikuar më: 19:53 06-09-2016

Nga Anila Basha

Vetëm ditën e sotme mbi 10 djem e vajza të reja të maturave të Tiranës, trokitën në derën e redaksisë Newsbomb.al, për t’u ankuar se ishin me mesatare shumë të mirë e nuk kishin fituar shkollën e lartë. Nuk dinin çfarë të bënin.

E di Lindita, si m’u dukën? Si minj, që i kemi futur në kafaz, e sillen e përdridhen me njëri tjetrin. Larg mendsh të mendoja se i kemi vënë gazin… Jo, ata ngatërroheshin me këmbët e tyre dhe sërish nuk zgjidhnin asgjë por vetëm pengoheshin.

Tani të vijmë te problemi. Këta nxënës shumë të mirë, si përfundim, nuk kanë fituar studimet e larta ku duan, dhe as nuk e dinë sesi llogariten pikët e tyre. Në këtë logjikë, fillova të mendoja të bëj një shkrim të pavend, për të sqaruar procedurën. Dhe fillova të pyes ekspertë të arsimit të lartë, të më tregonin pse kështu, e pse ashtu.

U ndesha në terma dhe shprehje, që zor se po i kuptoja unë që jam në këtë detyrë prej 20 vjetësh, vajmedet t’i kuptonin ata maturantët që duan të kryejnë studime të avancuara.

Dmth unë vetë nuk isha në gjendje të kuptoja se ligji për arsimin e lartë hyri në fuqi pa shfuqizuar normat e maturës shtetërore, ose më saktë, pa dakortësuar pritshmëritë që t’i kaloje nga një sistem, në tjetër, pa dispozita tranzitore të ligjit.

Duke folur me ekspertë, zbulova se për të zhbllokuar ngërçin, ndoshta s’duhej përdorur mesatarja e Ponderuar, apo s’duhej përdorur mesatarja e thjeshtë. Ata vërtet kanë hyrë me mesatare të ponderuar , por keqorientimi dhe handikapi ligjor i penalizoi.  Që do të thotë, për ato lëndët me zgjedhje maturantët duhet të kishin menduar që në vitin e parë të gjimnazit, dhe jo në të tretin…

Këto janë fjalë, po nejse. Zbulova gjithashtu, që ligjit të ri i mungojnë aktet nënligjore. Ndërsa universitetet, sipas ligjit të ri, kanë përzgjedhur kriteret sesi i duan nxënësit e tyre. Të drejtë kanë deri diku, Universitetet. Fajin e ka ministria. Eshtë njëlloj si të vish te redaksia ime, dhe të kërkosh “ajkën” e gazetarëve, dhe jo ata gazetarë “low cost” që mund t’i përdorësh për gjithçka. Sepse këtu te ne, arsimi nuk është më shtetëror e privat. Eshtë publik dhe jopublik.

Por një  pyetje për Universitetet dhe Rektorët: Pse nuk bëni transparencën e përzgjedhjes së rankimit të studentëve? A i keni njohur programet, përpara se të bëni kalkulimet e tyre. Si i trajtoni ju këta maturantë, sikur janë domate e kastraveca që i merrni në rrugë, në trotuar? Dhe një pyetje rektorit të mjeksisë: Çfarë t’i them këtij nxënësi nga Tepelena, që qante me lot në zyrën time, dhe që dy ditë më parë bëri check in dhe rezultonte 73/75 në stomatologji, por ditën e djeshme universiteti shpalli ca lista ku ai kod nuk ishte fitues? A ka mundësi t'i japim këtij fëmije një përgjigje?

Eh sa kleçka keni futur e nuk keni futur në ligj. Po mirë e bëni, se duron ky popull.

Halli ishte ç’tu thosha këtyre nxënësve me 10-ta që vinin  nga “Sami Frashëri” dhe nuk e gjenin veten te nxënësit fitues të shkollës së lartë.

Po transparenca? Zero….Zero me bisht madje. Nuk mund të fillonte aplikimi i këtij ligji menjëherë pas miratimit të tij. Që do të thotë, se që në vitin e parë gjimnaz, duhet të orientoje kalamanjtë, e tu thoshte dikush, se ky është sistemi, e këto janë pikët…Jo tak-fak…U çorientuam ne, jo fëmijët e gjorë.

Nuk di nga ta nis e nga ta bitis sesi u katandis kjo maturë 2016. I ke dhënë një kosto për zgjedhje Edi Ramës, që nuk di ç’të të them, nuk di sesa vota do humbë. Se te fëmija, s’t’a fal as i yti atë që ke bërë.

Tani, edhe pse kam bërë kët analizë, dhe mendoj se deri diku kuptova mekanizmin, mund të të them se është bërë një mish mash, a një lëmsh e li, që zot e di se ku do dalë. Mjafton Linditë, të hapësh ''Facebook'', dhe të shohësh me dhjetëra, e me qindra komente dëshpëruese të maturantëve…lot, qarje…sharje…Mirë është të flesh rehat pa i lexuar.

Dhe në fund, dy fjalë për PD: Boll qatë me lot korkodili në konferenca për shtyp për këtë gjendje. Ju jeni po aq përgjegjës sa edhe këta me mosreagimin tuaj. Kishit mundësi, kohë, kapacitete që ligjin ta çonit në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e bëtë. Ajo që mundësuat ju që po bëni politikë, është fakti se këta fëmijë s’do shkojnë te publiku, por tek privati. Dhe mos bëni sikur nuk donit, apo nuk dinit.

Sa për ministrinë, mirë është askush mos t’i bjerë telefonit për këto mendime. Sepse vlera e këtyre fëmijëve që qanin përballë tavolinës së zyrës time, është 100-fish më e madhe sesa vlera e vajzës së ministres që studion në Francë sikurse na e njoftoi po ajo vetë në një konferencë për shtyp. Fundja, s’jemi të gjithë aq të pasur, zonja Ministre…

Article Logic
Execution time: 0.0042130947113037