Ardhja e verës nënkupton shumë argëtim, qejf por mbi të gjitha shumë muzikë. Për të gjithë që ju po prisni të shijoni pikërisht ditët me diell shoqëruar më muzikë, por adhuroni të dëgjoni muzikën greke, atëherë një super festë po vjen për ju.
Më 26 qershor në skenën e Amfiteatrit të ri të Tiranës do të vijë një nga këngëtarët më të njohur grek, Giorgos Dalaras.
Dalaras do të elektrizojë të gjithë skenën dhe të gjithë njerëzit që do të shijojnë nga afër këtë koncert do të mbetet një kujtim i paharrueshëm, pasi koncertet në vetvete janë gjithmonë një investim.
Ky koncert, që do të mbahet në Tiranë, ka marrë vëmendjen edhe të mediave greke të cilët kanë shkruar lidhur me eksperiencën që pritet të kalojë në Tiranë dhe gjithë emocionet e përgatitjes.
Ikona e muzikës greke, ka si kompozitor artistin shqiptar Dasho Kurti, i cili kompozon muzikë në mënyrë europiane, por në gjak ka muzikën karakteristike të Shqipërisë. Kurti ka qënë për vite me rradhë në orkestrat e këngëtarëve të njohur, si një nga fizarmonicistët më të mirë derisa u gjend një ditë edhe në orkestrën e Dalarës dhe më pas falë talentit të tij arriti të bëhej dhe kompozitori i tij. Veçantia e artistit shqiptar është se ka aftësinë të përpunojë këngët karakteristike shqiptare dhe ti përshtasë me zërat e shumë këngëtarëve grek, një prej tyre është dhe Giorgos Dalaras.
Por vlen të theksojmë se nuk është hera e parë që Giorgos Dalaras vjen në Shqipëri. Ai vite më parë ka mbajtur një koncert në qytetin e Gjirokastrës.